Botë

Thatësia në Afrikën e Jugut lë të uritur miliona njerëz

Afrika e jugut

Thatësia është nxitur nga El Nino, një fenomen klimatik natyror i cili sjell temperatura të larta dhe reshje të ulëta shiu në këtë pjesë të Afrikës. Kur bie shi, toka e tharë nuk është në gjendje të thithë lagështinë, duke e bërë më të mundshëm përmbytjen

(CNN) - Më shumë se 24 milionë njerëz në Afrikën Jugore janë duke u përballur me urinë, kequshqyerjen dhe mungesën e ujit për shkak të thatësisë dhe përmbytjeve, derisa ekspertët thonë se situata rrezikon të shndërrohet në një “situatë të paimagjinueshme humanitare”.

Paralajmërimi nga grupi i ndihmave “Oxfam” të mërkurën erdhi pasi Zimbabveja iu bashkua kombeve të tjera të Afrikës Jugore, duke e shpallur gjendjen me thatësinë si “fatkeqësi kombëtare”, pas Zambias dhe Malavisë.

Presidenti i Zimbabvesë, Emmerson Mnangagwa, tha se më shumë se 2.7 milionë njerëz në vend do të mbeten të uritur këtë vit dhe kërkohen më shumë se 2 miliardë dollarë ndihmë për t’iu dalë në ndihmë njerëzve, raporton Reuters.

Prioriteti kryesor i vendit “është sigurimi i ushqimit për të gjithë zimbabveasit”, u tha presidenti gazetarëve. “Asnjë shtetas nuk duhet të dorëzohet ose të vdesë nga uria”.

Thatësia është nxitur nga El Nino, një fenomen klimatik natyror i cili sjell temperatura të larta dhe reshje të ulëta shiu në këtë pjesë të Afrikës. Kur bie shi toka e tharë nuk është në gjendje të thithë lagështinë, duke e bërë më të mundshëm përmbytjen.

El Nino po përkeqëson ndikimet nga kriza klimatike, e shkaktuar kryesisht nga djegia e lëndëve fosile, e cila po shkakton mot më të ashpër - duke përfshirë thatësinë dhe përmbytjet - në të gjithë Afrikën jugore, një rajon që “Oxfam” e përshkruan si një “pikë të nxehtë të fatkeqësive klimatike”.

Ndërsa Afrika Jugore hyn në sezonin e saj tradicional të thatë këtë muaj, pjesë të mëdha të rajonit – duke përfshirë Angolën, Botsvanën, Republikën Demokratike të Kongos, Malavi, Mozambikun, Namibinë, Zambinë dhe Zimbabvenë – tashmë janë përballur me një periudhë të zgjatur të thatësisë.

Nga fundi i janarit deri në shkurt, nivelet e reshjeve ishin më të ulëtat në 40 vjetët e fundit, tha një raport i fundit nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.

Pjesët qendrore të rajonit përjetuan shkurtin më të thatë në më shumë se 100 vjet, sipas një raporti nga OKB-ja.

Në Zambia, Malavi dhe Mozambikun Qendror thatësia ekstreme ka dëmtuar më shumë se 2 milionë hektarë të mbjella, tha “Oxfam”.

Zambia e shpalli gjendjen me thatësi si “fatkeqësi kombëtare” më 29 shkurt.

Presidenti i Malavisë shpalli të njëjtën gjendje në pjesën më të madhe të vendit më 23 mars. Është viti i katërt radhazi që Malavi detyrohet ta bëjë këtë për shkak të ndikimit të kushteve ekstreme të motit. Programi Botëror i Ushqimit tha këtë javë se ndikimi i El Ninos po “përkeqëson efektet shkatërruese të krizës klimatike në Malavi”.

Afrika Jugore është veçanërisht e ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike, pavarësisht se është përgjegjëse për vetëm një pjesë të vogël të ndotjes globale nga ngrohja e planetit.

Në Mozambik – një vend që përbën vetëm 0.2% të emetimeve globale – 3 milionë njerëz përballen me urinë, sipas “Oxfam-it”. Kryeqyteti i vendit, Maputo, përjetoi përmbytje shkatërruese në mars, pas goditjes nga stuhia tropikale Filipo, e ndjekur disa javë më vonë nga reshje të tjera intensive.

“Është kaq e padrejtë që ndikimet e ndryshimeve klimatike po godasin vazhdimisht Mozambikun. Një nga vendet më të varfra në botë po përballon kostot e krizës klimatike në të cilën ka kontribuuar kaq pak”, tha Teresa Anderson, drejtuese e sektorit për çështjet e klimës në ActionAid. “Vendet të cilat shkaktojnë ndotje duhet të mbajnë përgjegjësinë e tyre për dëmin që po bëjnë përmes ndryshimeve klimatike dhe të jenë të gatshme të ofrojnë financim për klimën në mënyrë që komunitetet e cenueshme të mund të përballen me katastrofat klimatike që po shkaktohen”, shtoi ajo.

Drejtoresha e programit të ”Oxfamit” për Afrikën Jugore, Machinda Marongwe, tha se rajoni është “në krizë” dhe u bëri thirrje donatorëve që “të çlirojnë menjëherë burimet” për të parandaluar spiralen e cila po shkon në një situatë të “paimagjinueshme humanitare”.

“Me të gjitha këto vende që përballen me kriza të shumta njëkohësisht, urgjenca nuk mund të nënvlerësohet”, tha Marongwe.