Tetë persona janë plagosur pas një sulmi me raketa ruse në qytetin qendror ukrainas Dnipro, në orët e hershme të së martës.
Forca ajrore ukrainase ka bërë të ditur se ka rrëzuar dy raketa lundrimi Iskander-K mbi rajon.
Mbetjet e raketave dëmtuan infrastrukturën civile, duke shkaktuar zjarr dhe duke lënduar banorët, sipas guvernatorit rajonal, Serhiy Lysak.
Një foshnje një muajsh dhe një shtatëmbëdhjetë vjeçar ishin në mesin e të plagosurve, përveç gjashtë të rriturve të tjerë, bazuar në informacionet paraprake nga guvernatori dhe shërbimet shtetërore të urgjencës.
Kryebashkiaku i Dnipro-s, Borys Filatov ka njoftuar se të paktën 47 banesa dhe një shkollë janë dëmtuar, raporton Reuters.
Forcat ruse lëshuan gjithashtu katër dronë në sulmin gjatë natës, dy prej të cilëve arritën të rrëzoheshin nga forcat ukrainase mbi rajonin verior të Chernihiv-it.
Zyrtarët ukrainas kanë bërë thirrje të vazhdueshme për të siguruar sisteme të mbrojtjes ajrore pasi Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore mbi Ukrainën, duke synuar infrastrukturën kritike këtë pranverë.