Autoritetet vendore janë duke u përpjekur ta minimizojnë ndikimin dhe ta ulin kohën në të cilën shtëpitë dhe bizneset mbeten në errësirë. Banorët janë mësuar t’i mbushin pajisjet e tyre, ata gjithashtu ruajnë rezerva të ujit për pije dhe larje
Lufta e Rusisë në Ukrainë ka hyrë në një fazë të re. Sulmet me dronë dhe raketa në infrastrukturën energjetike të Ukrainës tani janë bërë më të shpeshta dhe më masive, duke e mposhtur mbrojtjen e saj ajrore.
Këto sulme shpesh përfshijnë dronët e njëjtë iranianë “Shahed” të lëshuar nga Teherani në Izrael.
Duke e parë përgjigjen e fuqishme ndaj atij sulmi nga aleatët e Izraelit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka vënë në dukje se kur ishte fjala për Ukrainën “retorika nuk e mbronte qiellin”. Ai ka thënë se zhurma e atyre dronëve, qoftë mbi Lindjen e Mesme apo në Evropë “duhet të shërbejë si thirrje zgjimi për botën e lirë”.
Zyrtarët në Ukrainë thonë se mund të “numërojnë në një dorë” termocentralet dhe hidrocentralet përgjatë vendit që akoma nuk janë dëmtuar shumë ose janë shkatërruar plotësisht. Ndërsa Ukraina nxiton të riparojë çfarë mundet dhe të vazhdojë t’i furnizojë shtëpitë dhe industritë me energji elektrike, sulmet e Rusisë nuk kanë të ndalur.
Një objekt i madh afër Kievit është goditur javën e kaluar, ndërkaq në Kharkiv tri termocentralet kryesore janë të rrënuara.
Oxhaqet me vija të kuqe dhe të bardha të termocentralit numër 5 në Kharkiv janë akoma të dukshme disa milje më larg. Nëse afrohesh afër tyre, shfaqet shkatërrimi i bërë nga raketat ruse. Ndërtesa kryesore ka një vrimë të madhe të hapur në qendër të saj nga sulmet. Rreth e rrotull ndërtesës ka grumbuj me metale të nxira dhe me beton të copëtuar.
Sulmi i 22 marsit ishte i qëllimshëm dhe shkatërrues. Pesë raketa ruse kanë goditur vendin e njëjtë, duke shpërthyer turbinat, gjeneratorët dhe transformatorët dhe duke e çuar termocentralin jashtë linje. Një javë më vonë, Rusia ka shënjestruar termocentralet e qytetit përsëri.
Ihor Orlovskiyt kjo i duket personale.
“Është sikur të shikosh rrënojat e shtëpisë tënde. Kjo të sjellë dhimbje dhe lot”, thotë zëvendësdrejtori, duke treguar me gisht drejt copave të metalit dhe gurëve në vendin ku kanë shpërthyer raketat.
Ai ka punuar këtu që nga koha sovjetike.
“Është ndjenjë e hidhur. Por kjo na mobilizon neve gjithashtu, për të rindërtuar. Sepse e dimë që qyteti, ku jetojnë më shumë se një milionë njerëz, është duke u varur nga ne”.
Ka pasur gjashtë sulme në këtë termocentral që nga fillimi i pushtimit të plotë, por deri më tash sulmi i marsit ka qenë më i rëndi. Ka qenë gjithashtu më demoralizuesi. Inxhinierëve u është dashur një vit i plotë për ta riparuar një sektor të termocentralit dhe pastaj dy javë më vonë Rusia ka goditur të njëjtin vend duke e rikthyer nevojën për riparim.
Rusia e di se ku duhet të shënjestrojë
Burimet e tjera të industrisë tregojnë histori të njëjta për sulmet kaq të sakta. Në të kaluarën, thonë ata, raketat ose kanë dështuar, ose kanë shkaktuar më pak dëme.
Kjo shtyn disa të dyshojnë se agjentët rusë brenda Ukrainës janë duke i dërguar informacione Moskës. Termocentralet mbulojnë territore të gjera dhe dëmi, ose riparimet, janë të pamundura për t’u fshehur.
Por Rusia e di tashmë ku të shënjestrojë.
Makineritë e rënda datojnë që nga BRSS-ja, ku ende ka etiketa sovjetike mbi rrënoja dhe Moska i ka projektet e vjetra të impianteve.
Ihor Orlovskiyi dyshon se saktësia e shtuar ka më shumë gjasa të ketë ndodhur për shkak të intensitetit të madh të sulmeve të fundit. “Kur lëshon pesë, gjashtë, shtatë raketa në të njëjtin vend, disa prej tyre patjetër që do ta godasin shënjestrën”.
Në fushat rreth termocentralit ka shtylla të mëdha të elektricitetit. Por që nga marsi asgjë nuk ka rrjedhur përgjatë linjave të termocentralit numër 5, ose nga termocentralet e tjera të Kharkivit.
Qytetit i duhet të furnizohet me energji nga Ukraina perëndimore, e cila nënkupton furnizime të limituara ose ndërprerje të rregullta. Rusët kanë shënjestruar gjithashtu edhe nënstacione të energjisë elektrike.
Autoritetet vendore janë duke u përpjekur ta minimizojnë ndikimin dhe ta ulin kohën në të cilën shtëpitë dhe bizneset mbeten në errësirë. Banorët janë mësuar t’i mbushin pajisjet e tyre, dhe disa pajisje që ruajnë energjinë për karikim të celularit, në momentin që kthehet energjia elektrike. Ata gjithashtu ruajnë rezerva të ujit për pije dhe larje.
Metroja e Kharkivit i është rikthyer punës, edhe pse mbetet ende e parregullt, e semaforët gjithashtu. Por me furnizim të pasigurt të energjisë, e që mund të përkeqësohet, bizneset janë duke krijuar zgjidhje të reja.

Kharkivi është qendër e madhe botuese dhe Oleksandr Popovich, shefi i një firme të madhe të printimit, thotë se për javë të tëra ata janë varur në tre gjeneratorë të energjisë elektrike.
Në fillim të luftës një raketë ka goditur një zonë rreth 100 metra larg nga linja e prodhimit.
“Ajo ka shkatërruar magazinën tonë dhe 10 tonë letër. Por një ditë e vështirë na bën neve akoma më të fortë”, thotë Popovichi. “Fatkeqësisht, nuk mund ta rregulloj energjinë elektrike”, thotë ai. “Por të gjithë duhet ta kryejnë punën e tyre. Puna ime është të botoj libra deri në fitoren tonë. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë. Ne duhet t’u japim njerëzve në Ukrainë mundësinë për të lexuar libra të rinj”.
Firma nuk e ka konsideruar mundësinë për t’u zhvendosur më larg kufirit me Rusinë, por ka vendosur të qëndrojë dhe të investojë më shumë për ta rritur prodhimin.
Tani që Rusia është duke shënjestruar Kharkivin, Popovichi pohon se është duke u shqetësuar: “Pastaj më kujtohet ushtria jonë. Ushtarët tanë duhet ta dinë se nuk janë duke mbrojtur qytete të braktisura.
Ata janë duke mbrojtur qytete me njerëz”.
Dhjetëra burra nga stafi i tij janë regjistruar për të luftuar. Fotografia e njërit prej tyre, i vrarë në luftimet në vijën lindore të frontit, rri e varur në hyrjen kryesore.
Raportimet nga fronti tani janë më të kthjellëta.
Komandanti i përgjithshëm i Ukrainës, Oleksander Syrskyi, ka thënë në fundjavë se situata përgjatë pjesëve të vijës së frontit ishte “përkeqësuar ndjeshëm”.
Moti më i ngrohtë dhe toka më e fortë është duke e ndihmuar Rusinë të nisë sulme në automjete të blinduara dhe t’i vendosë nën presion forcat ukrainase, ka shkruar ai në Telegram.
Luftimet rreth Chasiv Yar në rajonin Donbas janë veçanërisht intensive. Syrskyi beson se Rusia dëshiron ta pushtojë territorin deri më 9 maj, datë simbolike kur Moska feston fitoren sovjetike ndaj Gjermanisë naziste.
Syrskyi i ka përshkruar përpjekjet “heroike” të trupave të tij “për t’i frenuar sulmet ditore të armikut”. Por ai gjithashtu ka përmendur nevojën për ta përmirësuar gjendjen “morale dhe psikologjike” të tyre.
Pas më shumë se dy vjetësh, ata janë të lodhur. Por deputetët në Kiev më në fund kanë votuar ligjin e ri që rregullon mënyrën se si janë të mobilizuar trupat, amendamenti që vendos kufirin se për sa kohë duhet të luftojnë ishte hequr.
Kundër një ushtrie më të madhe të armikut, Ukrainës i duhen të gjithë ushtarët që ajo mund t’i grumbullojë.
Rënia e moralit është komplikuar më tej nga mungesa e municioneve që ka arritur në vijat e frontit dhe nga dështimi i vazhdueshëm i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta miratuar paketën kritike të ndihmës për Kievin.
Trupat e Ukrainës, si të gjithë të tjerët në Ukrainë, ndiejnë se lufta e tyre është duke rrëshqitur nën agjendën ndërkombëtare.
Dhe tani ka arsye të re për shqetësim, pasi shumë kanë vënë re ndryshimin në reagimin ndaj krizës në rritje në Lindjen e Mesme.
Izraeli ka mbështetje të drejtpërdrejtë për t’i mbrojtur qiejt e tij nga raketat dhe dronët iranianë, edhe pse të njëjtat vende e kufizojnë ndihmën e tyre në Ukrainë, e cila është nën sulmin rus çdo ditë.
Presidenti Zelensky ka shprehur zhgënjim në dënimin e tij ndaj veprimeve të Iranit.
“Bota nuk mund të presë që të vazhdojnë diskutimet”, ka shkruar Zelensky në platformën X. “Fjalët nuk i ndalojnë dronët dhe nuk i pengojnë raketat. Vetëm ndihma e bën këtë gjë. Ndihma që ne jemi duke e pritur”.
Gjermania sapo ka premtuar se do të dërgojë njësi shtesë të mbrojtjes ajrore “Patriot” në Ukrainë “menjëherë”. Duke falënderuar kancelarin gjerman, Olaf Scholz, për mbështetjen e tij në këtë “moment kritik”, Volodymyr Zelensky ka kërkuar që edhe vendet e tjera ta ndjekin shembullin e Gjermanisë.
Stafi i termocentralit numër 5 të Kharkivit do ta mirëpriste mbrojtjen.
Sulmet e përsëritura
“Ne sapo kemi riparuar gjërat dhe tani duhet t’ia nisim nga e para”, ka thënë një punonjës me emrin Yuri. “Ne do të gjejmë zgjidhje, por gjëja kryesore është që të mos na godasin përsëri”.
Teksa ai dhe të tjerët vlerësojnë dëmet e bëra, të shpëtojnë atë që munden dhe të hartojnë një plan për rindërtim, ata përballen çdo ditë me sirena të shumta të sulmeve ajrore.
Ka dy lloje të alarmeve, shpjegon një oficer i sigurisë nga zjarri. Nëse kërcënimi duket i fokusuar në kufi, rreth 40 kilometra larg, disa prej punonjësve e vazhdojnë punën e tyre.
“Por nëse ka rrezik për Kharkivin nga raketat atëherë lëshohet një njoftim: ‘Urgjencë! Strehohuni menjëherë!’”, thotë ai.
Kjo e ngadalëson punën e riparimeve dhe ua shkatërron nervat. Çdo raketë e lëshuar mbi Kharkivin do të godasë brenda disa sekondave dhe stafi është i rrezikuar. Por nuk iu kanë përveshur punës vetëm inxhinierët dhe ekipi i ndërtimit.
Në termocentral, një grup me gra ishin duke pastruar shtigjet, duke ngjyrosur bordurën, madje edhe duke hequr luleradhiqet e rritura rreth hyrjes kryesore. Më vonë ato ishin strehuar gjatë një sulmi tjetër ajror.
“Jeta vazhdon dhe neve na duhet t’i mbajmë gjërat në vijë”, ka thënë një grua, edhe pse termocentrali është i tëri i shkatërruar. “Neve na pëlqen t’i mbajmë gjërat pastër dhe në rregull. Është puna jonë. Por gjithashtu është gjë e mirë për shpirtin”.
Gratë gjithashtu kishin ngjyrosur strehën nëntokësore me një të gjelbër “ngjyrë sallate”, duke i dhënë një grimcë jete bunkerit të ndërtuar gjatë kohës së Luftës së Ftohtë për t’iu bërë ballë sulmeve nukleare nga Perëndimi.
Në vend të kësaj, ata mbrojnë ukrainasit nga raketat balistike të lëshuara nga fqinji i tyre.
“Ata thonë se kjo bëhet në mënyrë që ne të dorëzohemi, ata duan të na frikësojnë që ne të largohemi nga shtëpitë tona”, ka thënë një grua tjetër, ndërsa përfundoi sulmi ajror dhe teksa ajo bëhej gati për ta vazhduar punën. “Ata duan që ne të largohemi nga Kharkivi. Por ne nuk do ta bëjmë këtë gjë”.
Përgatiti: Latra Gashi