(Përditësuar - 13:34) - Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, ka reaguar pas tërmetit që goditi vendin ishullor të Azisë Lindore.
Tërmeti 7.4 ballë i Rihterit, të mërkurën, ishte më i fuqishmi që ka goditur Tajvanin në 25 vjetët e fundit.
Të paktën nëntë persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e tërmetit, dhe më shumë se 800 të tjerë janë lënduar, derisa ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke u munduar të nxjerrin nga gërmadhat më shumë se 100 njerëz të ngujuar, raporton BBC.
Tërmeti kishte epiqendrën rreth 18 kilometra në jug-jugperëndim të Hualienit dhe ishte në thellësi rreth 35 kilometra.
Ka pasur edhe pasgoditje të shumta gjatë së mërkurës, me një prej tërmeteve pasuese të regjistruar ishte me fuqi 6.5 ballë Rihter dhe me thellësi prej 11.8 kilometrash.
Presidentja e vendit Tsai ka thënë se autoritetet janë të gatshme të përballen me situatën dhe do të punojnë për këtë së bashku.
Autoritetet kanë njoftuar se kishin pritur vetëm një tërmet relativisht të butë me magnitudë 4 ballë të Rihterit dhe për rrjedhojë nuk lëshuan alarme.
(Përditësuar - 11:55) - Ka shkuar në shtatë numri i të vdekurve nga tërmeti 7.4 ballë Rihter që ka goditur Tajvanin në mëngjesin e të mërkurës, raporton agjencia “AP”.
Tërmeti ishte më i fuqishmi që ka goditur Tajvanin në 25 vjetët e fundit.
Qeveria e Tajvanit ka bërë të ditur se 736 persona janë lënduar, ndërsa tërmeti dhe pasdridhjet kanë shkaktuar 24 rrëshqitje toke, kanë dëmtuar 35 rrugë, ura dhe tunele. 77 kanë mbetur të ngujuar.
Ka pasur disa tërmete tjera më të vogla, përfshirë edhe një 6.5 shkallë Rihter.
Tërmeti ka ndezur alarmin për cunami.
Autoritetet kanë thënë se kanë pritur tërmete relativisht të buta, 4 shkallë Rihter dhe nuk kanë lëshuar paralajmërim. Por, tërmeti ishte mjaftueshëm i fortë për të frikësuar njerëzit që janë mësuar me dridhje të tilla.
“Tërmetet janë të zakonshme këtu dhe jam mësuar me to. Por, sot për herë të parë u frikësova aq shumë nga një tërmet”, ka thënë Hsien-hsuen Keng, një banor në Taipei. “U zgjova nga tërmeti dhe kur nuk kam ndier një dridhje të tillë”.
Një tërmet i fuqishëm 7.4 ballë Rihter ka dridhur Tajvanin të mërkurën në mëngjes, duke dëmtuar ndërtesa e autostrada dhe duke shkaktuar vdekjen e të paktën katër personave, raporton agjencia “AP”.
Ishte tërmeti më i fuqishëm që e ka goditur Tajvanin në 25 vjetët e fundit.
Agjencia e Tajvanit për menaxhim të krizave ka njoftuar se katër persona kanë vdekur në Hualien dhe të paktën 57 janë lënduar si pasojë e tërmetit që goditi rreth orës 8 të mëngjesit me kohë lokale.
“United Daily News” ka raportuar se tre persona kanë humbur jetën si pasojë e rrëshqitjes së tokës në Parkun Nacional “Taroko”.
Një ndërtesë pesëkatëshe është dëmtuar rëndë në Hualien. Në kryeqendër Taipei, tjegulla kanë rënë nga ndërtesat e vjetra.
Shërbimet e trenit kanë pezulluar punën në ishullin me rreth 23 milionë banorë.
Tërmeti më i rëndë që kishte goditur Tajvanin në vitet e fundit, ndodhi më 21 shtator të vitit 1999. Tërmeti 7.7 ballë Rihter kishte shkaktuar vdekjen e rreth 2,400 personave e lëndoi rreth 100 mijë, ndërsa u shkatërruan mijëra banesa.
Tërmeti i të mërkurës, për të cilin Agjencia e Sizmologjisë e SHBA-së tha se ishte 7.2 ballë Rihter, ka ndezur alarmet edhe për cunami.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë ka thënë se një valë e cunamit 30-centimetërshe është vërejtur në afërsi të bregdetit të ishullit Yonaguni rreth 15 minuta pasi goditi tërmeti. Vallë më të vogla janë vërejtur në ishujt Ishigaki e Miyako. Tërmeti është ndier edhe në Filipine.