Një tërmet me magnitudë prej 7.7 shkallë të Rihterit ka goditur Birmaninë qendrore të premten, kanë raportuar shërbimet monitoruese. Tërmeti ka shkaktuar dëme edhe në kryeqytetin e Tajlandës, Bangkok, me qindra qytetarë që kanë dalë jashtë ndërtesave nga frika, raporton Reuters.
Policia dhe shërbimet emergjente në Bangkok kanë raportuar se të paktën 2 persona kanë vdekur, dhe një numër ende i panjohur i njerëzve gjenden nën rrënoja pas shembjes së një rrokaqiell 30-katësh në ndërtim e sipër, që u rrëzua në pjesën veriore të qytetit.
Është raportuar për dëme në disa ndërtesa në mbarë Bangkokun.
Autoritetet tajlandeze kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në kryeqytet, ka bërë të ditur kryeministrja e vendit, Paetongtarn Shinawatra të premten.
Nuk ka pasur ende ndonjë deklaratë nga autoritetet e Birmanisë në lidhje me shkallën e dëmeve të shkaktuara, teksa sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara tërmeti ka qenë me magnitudë prej 7.7 shkallë të Rihterit dhe me thellësi 10 kilometra.
Epiqendra e tërmetit ishte 17 kilometra larg qytetit me popullatë 1.5 milionëshe të Mandalay.
Video të ndryshme tregojnë për shembjen e ndërtesave në Bangkok, si dhe rrëzimin e një ure në Birmani.
Vetëm 12 minuta pas tërmetit të parë, një tjetër tërmet me magnitudë 6.4 shkallë kishte goditur Birmaninë. Epiqendra e tërmetit të dytë ishte 18 kilometra në jug të qytetit të Sagaingut.
VIDEO:
Building collapse in Bangkok after significant shaking associated with a magnitude 7.7 #earthquake in Myanmar.
The building was reportedly under construction. pic.twitter.com/0lYToH00eA— Matthew Cappucci (@MatthewCappucci) March 28, 2025
Regjimi ushtarak në Birmani kërkon ndihmë ndërkombëtare pas tërmetit të fuqishëm
Diktatura ushtarake që udhëheq Birmaninë ka bërë një kërkesë të rrallë për ndihmë humanitare ndërkombëtare dhe ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në gjashtë rajone të vendit pas tërmetit me magnitudë 7.7 shkallë të Rihterit.
Televioni shtetëror i Birmanisë ka thënë se akti i qeverisë përfshinë edhe kryeqytetin Naypyidaw dhe qytetin e Mandalay, në të cilin u lokalizua epiqendra e tërmetit.
Agjencia franceze e lajmeve (AFP) ka bërë të ditur se lideri i diktaturës ushtarake, Min Aung Hlaing, ka mbërritur në një spital në Naypyidaw, ku po trajtohen disa persona të lënduar.
Birmania është aktualisht në luftë civile dhe shumë zona nuk janë lehtë të qasshme. Prandaj nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë masa do të ndërmerreshin nga ushtria me rastin e kësaj fatkeqësie natyrore.
Të paktën 144 persona të vdekur e 732 të lënduar si pasojë e tërmetit në Birmani
Të paktën 144 persona kanë vdekur dhe 732 të tjerë janë lënduar si pasojë e tërmetit të fuqishëm që ka goditur Birmaninë të premten, ka bërë të ditur televizioni shtetëror i vendit përmes rrjetit social Telegram të premten.
Shefi i juntës ushtarake ka ftuar të gjitha shtetet të ndihmojnë, si dhe ka paralajmëruar se do të ketë më shumë viktima. Vendi ka pranuar ofertat për ndihmë të Indisë dhe vendeve të organizatës rajonale ASEAN.
Më herët gjatë ditës, diktatura ushtarake e Birmanisë pati konfirmuar se vendi po përballet me shumë fatalitete dhe lëndime si pasojë e tërmetit të së premtes, ndonëse nuk përmendi shifra.
“Shumë njerëz të lënduar janë shtrirë nëpër spitalet afër epiqendrës së tërmetit, si dhe në kryeqytetin e Napydaw. Këto spitale kanë nevojë për gjak, si rrjedhojë kërkohet nga dhuruesit e gjakut të kontaktojnë menjëherë spitalet për të bërë donacion”, kishte transmetuar televizioni publik shtetëror.
Të paktën tetë persona të vdekur pas shembjes së ndërtesës pas tërmetit në Birmani
Të paktën 8 persona kanë vdekur dhe disa të tjerë kanë mbetur nën rrënoja pasi një ndërtesë është shembur afër Mandalay, qytetit të dytë më të madh në Birmani ku ndodhi tërmeti, sipas The Guardian.
“I tërë qyteti është ndikuar nga tërmeti. Ekipet e shpëtimit dhe spitalet janë të mbingarkuara. Ne po i menaxhojmë burimet e mbetura që i kemi në lagje”, ka deklaruar një dëshmitar për mediumin britanik.
“Dy persona, një burrë i moshës së mesme dhe një grua e moshuar, kanë vdekur si rezultat i shembjes së ndërtesës”, ka shtuar ai.
Birmania sundohet nga diktatura ushtarake që prej vitit 2021, duke e bërë qasjen në informacione të vështirë. Praktikisht, shteti kontrollon pothuajse të gjitha stacionet e radios, televizionit dhe mediave online.
Përdorimi i internetit është gjithashtu i kufizuar.