Disa suplemente në formë pilulash që besohet se kanë shkaktuar vdekjen e dy personave dhe kanë sëmurë më shumë se njëqind të tjerë, janë urdhëruar të hiqen nga tregu në Japoni, raporton AP.
Produktet nga “Kobayashi Pharmaceutical Co.”, të cilat parashiheshin të ndihmonin në uljen e kolesterolit, përmbanin një përbërës të quajtur “benikoji”, një lloj i mykut.
Përveç produkteve nga “Kobayashi” me bazë në Osaka, më shumë se 40 produkte që përmbajnë benikoji u tërhoqën nga tregu duke filluar nga java e kaluar, bëri të ditur një zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë i Japonisë.
Të paktën 106 njerëz janë shtruar në spital dhe shumë të tjerë besohet se janë sëmurë, megjithëse është e paqartë nëse të gjitha sëmundjet lidhen drejtpërdrejt me benikojin.
Ministria ka vendosur në faqen e saj zyrtare një tabelë, ku renditen të gjitha produktet e tërhequra nga tregu, disa prej të cilave kanë përdorur benikojin si ngjyrues të ushqimit.
Produktet nuk kishin nevojë për recetë të mjekut dhe mund të bliheshin në barnatore.
Kompania “Kobayashi” përmes një deklarate në internet ka kërkuar falje.
“Ju lutemi ndaloni të blini produktet tona dhe ju lutemi mos i përdorni ato në të ardhmen”, thuhet në deklaratën e kompanisë.
Zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë kanë paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet ditëve në vijim.
Të gjitha produktet janë prodhuar në Japoni, megjithëse është e paqartë nëse ndonjë nga lëndët e para është importuar. Tërheqja nga tregu e suplementeve shëndetësore të importuara ka ndodhur edhe më parë në Japoni, por kjo është tërheqja e parë e madhe e një suplementi të prodhuar në vend, sipas raporteve të mediave japoneze.