Botë

Tentohet edhe një herë arrestimi i presidentit jug-korean

Protesta - Kore e Jugut

Foto: Associated Press

Presidenti jug-korean, Yoon Suk Yeol, që po përballet me akuza, rrezikon një tentim të ri dhe më të fuqishëm për arrestimin e tij, nën akuza për kryengritje, raporton agjencia Reuters. 

Një hetues i lartë bëri thirrje për të bërë çfarëdo që është e nevojshme për ta thyer bllokadën e sigurisë, prapa së cilës po fshihet, Yeol dhe për ta arrestuar atë. 

Presidenti në detyrë Choi Sang-mok bëri thirrje të mërkurën ndaj autoriteteve që “të bëjnë më të mirën e tyre për të parandaluar lëndimin e qytetarëve ose konfliktin fizik në mes agjencive qeveritare’’ gjatë ekzekutimit të urdhrit për arrestim ndaj Yoonit. 

Protestuesit pro dhe kundër Yoonit kanë sfiduar temperaturat e ulëta për të krijuar masa në rrugët rreth pallatit presidencial të mërkurën pasi u rilëshua urdhërarresti ndaj Yoonit të martën. 
Shërbimi i Sigurimit Presidencial (PSS) ka fortifikuar vendin këtë javë me tela me gjemba dhe ka bllokuar hyrjet në rezidencë duke vendosur autobusë.

Yoon është në hetim penal për kryengritje pas tentativës së dështuar për ta shpallur gjendjen e jashtëzakonshme ushtarake më 3 dhjetor, një vendim që shtangu Korenë e Jugut dhe nxiti fletë-arrestin e parë për një president në detyrë.

Po ashtu ai do të përballet me seancë në Gjykatën Kushtetuese. 

Një nga avokatët e Yoon tha se presidenti nuk mund të pranonte fletëarrestin sepse ishte lëshuar nga një gjykatë që nuk kishte juridiksion mbi të dhe ekipi i formuar i hetueseve për të hetuar presidentin në detyrë nuk ishte i mandatuar. 

Yoon Kab-Keun, avokati, po ashtu mohoi sugjerimet nga disa anëtarë të Parlamentit se Yoon ishte larguar nga rezidenca zyrtare, duke thënë se ata e kishin takuar presidentin atje të martë. Ai tha se ata ishin ‘’thashetheme të ulëta’’ me qëllim të denigrimit të Yoon.

Të martën, Oh Dong-woon, kreu i Zyrës për Hetim e Korrupsionit për zyrtarët e lartë (CIO), që është duke udhëhequr hetimin, kërkoi falje për dështimin e arrestimit të presidentit javën e kaluar pas gjashtë orëve përpjekje kundër agjentëve të PPS. Disa nga ta kishin edhe armë zjarri, si dhe kishte ushtarë roje. 

‘’Ne do të bëjmë më të mirën tonë të arrijmë qëllimin tonë përmes përgatitjes këtë herë me vendosmëri të madhe që fletë arresti i dytë të jetë i fundit,’’ i tha Oh një komiteti të parlamentit.
Ai mohoi të specifikoi se sa ditë i ka dhënë gjykata, pra se të skadojë fletëarresti.
Oh nuk kundërshtoi kur anëtarë të parlamentit thirrën për veprime më forta për të mbizotëruar rojet dhe trupat ushtarake brenda fortifikimit, por ai refuzoi të diskutojë se çfarë opsione janë duke u konsideruar.