Pensionistët dhe mbështetësit e klubeve të ndryshme të futbollit janë përleshur me policinë të mërkurën para objektit të parlamentit në Buenos Aires të Argjentinës, në shenjë proteste kundër politikave ekonomike të zbatuara nga qeveria e presidentit të vendit, Javier Milei, transmeton agjencia e lajmeve AP.
Ajo që filloi si protestë paqësore në Buenos Aires eskaloi në përleshje pasi që disa protestues filluan të gjuajnë me gurë në drejtim të policisë, e cila u detyrua të përdorë gaz lotsjellës dhe topa të ujit për t’i shpërndarë protestuesit.
Protestat nga pensionistët janë mbajtur çdo të mërkurë në Buenos Aires në javët e fundit, për t’iu kundërvënë politikave ekonomike që e kanë përkeqësuar standardin e jetesës. Si rrjedhojë, kërkesa kryesore është rritja e pensioneve.
VIDEO:
URGENTE: torcidas organizadas de vários times argentinos se unem pra pedir a queda do Javier Milei após ele tentar medidas pra prejudicar os aposentados. A polícia entrou em confronto e o clima é de caos na Argentina. pic.twitter.com/s7LkijZ8rN
Deri më tani, këto protesta kanë tubuar dhjetëra njerëz dhe kanë pasur disa incidente, përfshirë gaz lotsjellës të hedhur ndaj të moshuarve, mirëpo protesta e së mërkurës ishte diçka e pashembullt në shkallën e pjesëmarrjes dhe dhunës.
Qeveria libertariane e presidentit, Javier Milei, ka zbatuar politika që ulin shpenzimet publike, dhe që nga koha kur erdhi në pushtet para një viti e gjysmë, kishte paralajmëruar për ndalesa në stadiume për ata që përfshihen në trazira të dhunshme. Kjo nënkupton se tifozët e përfshirë në trazirat e së mërkurës do të ndalohen të hyjnë nëpër stadiume të futbollit për një periudhë të caktuar nga autoritetet.