Botë

Temperatura globale në qershor shënoi rekord për të 13-in muaj radhazi

Ngrohja globale

Ngrohja globale

Foto: Associated Press

Temperatura globale në qershor shënoi rekord për muajin e 13-të radhazi dhe shënoi muajin e 12-të radhazi që bota ishte për 1.5 gradë celsius më e ngrohtë se kohët para-industriale, bëri të ditur shërbimi evropianë i klimës, Copernicus në një njoftim të hënën.

Sipas këtij shërbimi, ky është një paralajmërim i ashpër se toka po i afrohet një kufiri shumë të rëndësishëm të vendosur nga Marrëveshja e Parisit. 

Kjo shenjë e temperaturës 1.5 gradë është e rëndësishme sepse ky është kufiri i ngrohjes për të cilin pothuajse të gjitha vendet në botë ranë dakord në marrëveshjen e klimës së Parisit të vitit 2015. 

Globi për qershorin e vitit 2024 ishte mesatarisht 16.66 gradë celsius i ngrohtë, që është 1.2 gradë mbi mesataren 30-vjeçare për muajin, sipas Copernicus. 

Nxehtësia e qershorit goditi shumë rëndë Evropën Juglindore, Turqinë, Kanadanë Lindore, Shtetet e Bashkuara perëndimore dhe Meksikën, Brazilin, Siberinë veriore, Lindjen e Mesme, Afrikën veriore dhe Antarktidën perëndimore, sipas Copernicus. 

Mjekëve iu desh të trajtonin mijëra viktima të goditjes së nxehtësisë në Pakistan muajin e kaluar pasi temperaturat arritën në 47 gradë celsius.

Shumica e kësaj nxehtësie vjen nga ngrohja afatgjatë nga gazrat serrë të emetuara nga djegia e qymyrit, naftës dhe gazit natyror, thanë meteorologët. 

Një sasi dërrmuese e energjisë termike të bllokuar nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu, shkon direkt në oqean dhe atyre oqeaneve u duhet më shumë kohë për t'u ngrohur dhe ftohur.