Botë

Teksa Hezbollahu dhe Izraeli luftojnë në kufi, ushtria e Libanit vëzhgon

ushtar libanez

Foto: Associated Press

Që kur Izraeli nisi pushtimin tokësor të Libanit, forcat izraelitë dhe militantët e Hezbollahut janë përplasur përgjatë kufirit teksa ushtria libaneze ka qëndruar kryesisht mënjanë.

Nuk është hera e parë që ushtria e ka gjetur veten duke e parë luftën në shtëpi nga pozicioni i një kalimtari.

Ushtria e Libanit është një nga pak institucionet që kalon ndarjet sektare dhe politike të vendit. Disa komandantë ushtarakë janë bërë presidentë dhe komandanti aktual, Joseph Aoun, shihet gjerësisht se do ta zë atë vend, raportoi AP. 

Me arsenal të vjetërsuar dhe pa mbrojtje ajrore, dhe të goditur nga kriza ekonomike për pesë vjet, ushtria kombëtare nuk është e përgatitur për ta mbrojtur Libanin as nga bombardimet ajrore e as nga një ofensivë tokësore nga një ushtri moderne e pajisur mirë si ajo e Izraelit.

Ushtria është nën hije të Hezbollahut, ushtarakisht. Ushtria libaneze ka rreth 80,000 trupa. Hezbollahu ka mbi 100,000 luftëtarë, sipas ish-liderit të grupit i cili u vra, Hassan Nasrallah. Arsenali i tij, i ndërtuar me mbështetjen e Iranit, është po ashtu më i avancuar.

Derisa trupat izraelite kryen sulmet e para drejt kufirit dhe Hezbollahu u përgjigj me raketa, ushtarët libanezë u tërhoqën nga pozicionet e vëzhgimit përgjatë frontit dhe u ripozicionuan 5 kilometra prapa.

Analistët thonë se nëse pushtimi izraelit arrin pozicionet aktuale të ushtrisë, trupat libaneze do të përgjigjen me luftime – por të kufizuara.

Kur sistemi financiar i Libanit kolapsoi më 2019, ushtria u godit. Nuk pati buxhet për të blerë armë dhe mbajti pajisjet ekzistuese. Paga mesatare e një ushtari tani është rreth 220 dollarë në muaj, dhe shumica kanë punë të dyta. Në një pikë, SHBA-ja dhe Katari të dyja subvencionuan pagat e ushtarëve çdo muaj.

SHBA-ja ishte financuesi i parë i ushtrisë libaneze para krizës. Ajo ka dhënë rreth 3 miliardë dollarë ndihmë ushtarake që nga viti 2006, sipas Departamentit të Shtetit.

Por kjo mbështetje është kufizuar. Ndihma për ushtrinë libaneze nganjëherë ka qenë e diskutueshme politikisht brenda SHBA-së, me disa ligjvënës që argumentonin se mund të bjerë në dorën e Hezbollahut, edhe pse nuk ka prova se ka ndodhur kjo.

Në Liban, shumë besojnë se SHBA-ja e ka bllokuar ushtrinë që të marrë armë më të avancuara e që mund ta lejonin të mbrohej kundër Izraelit – aleati më i fortë i Amerikës në rajon dhe përfituesi i të paktën 17.9 miliardë dollarë ndihma ushtarake në vit që kur nisi lufta në Gaza.