Botë

Teknologjia e re, Ukraina kryen sulme tokësore me telekomandë

Ukraina

Foto: Reuters

Ukraina po e cilëson si arritje të madhe operimin me pajisje ushtarake pa personel e që kontrollohen nga distanca. Një prej tyre është një veturë me mitraloz që kontrollohet nga distanca tek lëviz në fushat me borë. Pajisja u përdor nga brigada ukrainase Khartiia. Ky konsiderohet avancimi më i fundit në konfliktin që definohet nga lufta teknologjike në të dyja anët, ka shkruar agjencia e lajmeve “Reuters”. 

Muajin e kaluar, Khartiia publikoi pamjet e një sulmi në rajonin verilindor të Kharkivit, i cili ishte kombinim i pajisjeve që kontrolloheshin me dronë, e që  përdoreshin për vendosje ose heqje të minave. Njësia ka deklaruar se ky ishte sulmi i parë i dokumentuar tokësor i kontrolluar nga distanca, në luftën Rusi-Ukrainë.

Operacioni i ka hapur rrugë avancimit të suksesshëm këmbësorisë, ka njoftuar brigada.

“Detyra jonë është të bartim maksimalisht detyrat e vëzhgimit, pastrimit të minave dhe sulmeve... tek pajisjet, të cilat mund të përballojmë t’i humbim”, ka deklaruar pjesëtari i njësisë Volodymyr Dehtiarov.

Njësi si “Khartiia” janë duke e mirëpritur inovacionin, duke tentuar të shpëtojnë jetë teksa pushtimi rus po hyn në vitin e katërt. Autoritetet ukrainase kanë deklaruar se rreth 43,000 ushtarë janë vrarë në luftime që nga shkurti i 2022-s, por disa zyrtarë perëndimorë mendojnë se numri mund të jetë më i madh.

Shpërndarja e dronëve të lirë ushtarakë e ka bërë edhe më vdekjeprurëse luftën, kanë deklaruar ushtarët.  

Duke qëndruar në një depo të improvizuar në bazën në Khartiia, një toger 21-vjeçar me një shenjë “i lumtur”, ka treguar për pajisjet e tyre – duke përfshirë dronë kamikazë të pajisur me mina të përdorur në sulmin e muajit të kaluar.

“Ato u afruan shumë afër llogoreve ruse dhe pastaj shpërthyen”, deklaroi “i lumturi”.

Ekuipazhi i pajisjeve zakonisht vendoset rreth 2 kilometra larg për t’i evituar sulmet me dronë, ka shtuar piloti 28-vjeçar me nofkën “Khort”.

Edhe njësi të tjera ushtarake ukrainase janë duke përdorur teknologji të ngjashme, siç janë barela të kontrolluara nga distanca, për të tentuar për të fituar përparësi në fushëbetejë kundër një armiku më të fuqishëm.

Prodhimi i brendshëm i teknologjisë së kontrollit tokësor nga distanca është duke u zgjeruar në Ukrainë, duke përfshirë krijimin e kompanive të reja të financuara nga Qeveria. Edhe në qiell, Ukraina është duke përdorur shumë dronë me sisteme të kontrolluara nga inteligjenca artificiale për të arritur caqet në fushëbetejë, pati deklaruar një zyrtar i lartë në tetor.

Edhe ushtria ruse është duke u përshtatur, ka deklaruar pjesëtari i brigadës “Khartiia”, Dehatiarov, që ka nënkuptuar se njësitë ukrainase duhet të përparojnë shpejt dhe në vazhdimësi brenda dhe jashtë fushëbetejës.