Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në West Palm Beach të Floridas, ku gjendej kandidati për president të SHBA-së, Donald Trump.
Zëdhënësi i tij, Steven Cheung, ka thënë se Trump është i sigurt, por pa dhënë informacione shtesë.
“Presidenti Trump është i sigurt pas të shtënave me armë zjarri në afërsi të tij. Nuk ka detaje të tjera për momentin”, ka thënë zëdhënësi i fushatës të dielën.
CNN ka raportuar Trump po luante golf në momentin kur u dëgjuan të shtënat.
Më 14 korrik të këtij viti, Trump ishte qëlluar me armë zjarri në një tubim elektoral në Butler të Pensilvanisë. Ai ishte duke mbajtur fjalim, kur një plumb preku veshin e tij të djathtë.
Trumpi pas të shtënave: Jam mirë, nuk dorëzohem kurrë
Kandidati i Republikanëve për president, Donald Trump, ka deklaruar se është “i sigurt dhe mirë” pas të shtënave me armë zjarri në fushën e tij të golfit në Florida.
Ai ka thënë se “nuk do të dorëzohet kurrë”.
“Pati të shtëna armësh në afërsi, por para se thashethemet të dilnin jashtë kontrollit, doja të dëgjonit: Jam i sigurt dhe mirë. Asgjë nuk do të më ngadalësoj. Nuk do të dorëzohem kurrë”, thuhet në reagimin e Trumpit gjatë fushatës.
TheGuardian ka raportuar të dielën se agjentët e shërbimit sekret të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë hapur zjarr ndaj një personi të armatosur, që dyshohet se qëlloi pranë vendit ku gjendej Trump.
Në vendngjarje është gjetur një pushkë e një person është arrestuar.
Zyrtarët e Shërbimit Sekret kanë thënë se Trumpi ishte midis "3 dhe 500 metrave" larg të dyshuarit.