E lindur mes tmerreve të luftës në Gazë, foshnja njëmuajshe e shtrirë në inkubator, nuk ka përjetuar kurrë përqafimin e një prindi. Ajo u lind me prerje cezariane pasi nëna e saj, Hanna, u godit nga një sulm ajror izraelit. Hanna nuk jetoi as për t’ia vënë emrin vajzës së saj.
“Ne e quajmë vajza e Hanna Abu Amshas”, ka thënë infermierja Warda al-Awawda, e cila po kujdeset për të porsalindurën në spitalin al-Aqsa në Deir al-Balah në Gazën qendrore.
Në kaosin e shkaktuar me luftimet e vazhdueshme dhe me familje të tëra të vrara, mjekët dhe shpëtuesit shpesh heqin të gjejnë kujdestarë për fëmijët.
“Ne kemi humbur kontakt me familjen e saj,” ka thënë infermierja për BBC-në. “Asnjë nga të afërmit e saj nuk është shfaqur e as nuk e dimë se çfarë ka ndodhur me të atin”.
Fëmijëve, të cilët përbëjnë gati gjysmën e popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë, u është shkatërruar jeta prej luftës brutale. Megjithëse Izraeli thotë se po përpiqet të shmangë viktimat civile, më shumë se 11,500 të mitur janë vrarë sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.
Sipas raportimeve të fundit prej Monitoruesit Euro-Mesdhetar të të Drejtave të Njeriut, më shumë se 24,000 fëmijë kanë humbur njërin ose të dy prindërit.

Ibrahim Abu Mous, vetëm 10 vjeç, pësoi lëndime të rënda në këmbë dhe stomak kur një raketë goditi shtëpinë e tij. Por lotët e tij rrjedhin për nënën, gjyshin dhe motrën e vdekur.
“Vazhduan të më thoshin se ata ishin duke u trajtuar lart në spital,” ka thënë Ibrahimi, teksa babai i tij i shtrëngonte dorën. “Por e mora vesh të vërtetën kur pashë fotot në telefonin e babait. Qava aq shumë sa që kisha dhimbje gjithandej”.
Kushërinjtë e familjes Hussein dikur luanin së bashku, por tani ata ulen pranë varreve, ku disa nga të afërmit e tyre janë varrosur, afër një shkolle të kthyer në strehim në qendër të Gazës. Secili ka humbur një ose të dy prindërit.
“Raketa ra në prehër të nënës sime dhe trupi i saj u bë copa-copa. Për disa ditë ne po mblodhëm pjesët e saj nga rrënojat e shtëpisë,” ka thënë Abed Hussein, i cili qëndronte në kampin e refugjatëve në al-Bureij. “Kur më thanë se vëllai im, xhaxhai im dhe e gjithë familja ime u vranë, u ndjeva sikur zemra ime nxirrte flakë nga mërzia”.
Me sy të errët nga lodhja e mërzia, Abedi rri zgjuar gjatë natës, i frikësuar nga zhurmat e granatimeve izraelite dhe duke u ndier i vetëm.
“Kur prindërit e mi ishin gjallë, unë flija, por pasi u vranë, nuk mund të fle më. Unë flija afër babait tim,” ka shpjeguar ai.
Për Abedin dhe dy vëllezërit dhe motrat e tij të mbijetuar po kujdeset gjyshja, por jeta e përditshme është shumë e vështirë.
“Nuk ka ushqim ose ujë,” ka thënë ai. “Kam dhimbje barku nga pirja e ujit të detit”.

Babai i Kinza Husein u vra duke u përpjekur të merrte miell për bukë. Ajo është e tmerruar nga imazhi i kufomës së tij, e sjellë në shtëpi për varrim pasi u vra nga një raketë.
“Ai nuk kishte sy dhe gjuha e tij ishte e prerë,” ka thënë ajo. “Gjithçka që ne duam është që lufta të përfundojë. Gjithçka është e trishtë”.
Pothuajse të gjithë në Gazë tani mbështeten në ndihmat për gjërat bazike. Sipas shifrave të Organizatës së Kombeve të Bahskuara, rreth 1.7 milionë njerëz janë zhvendosur, shumë prej tyre të detyruar të lëvizin vazhdimisht në kërkim të sigurisë. Por agjencia e OKB-së, Unicef, ka thënë se shqetësimi i saj më i madh janë 19,000 fëmijët të mbetur jetimë ose të vetëm pa dikë për t’u kujdesur për ta.

“Shumë nga këta fëmijë janë gjetur poshtë rrënojave ose kanë humbur prindërit nga bombardimet e shtëpisë së tyre,” ka thënë Jonathan Crick, shefi i komunikimit për Unicef Palestinë, në Rafah në jug të Gazës. “Të tjerët janë gjetur në postblloqe izraelite, spitale ose në rrugë”.
“Më të vegjlit shpesh nuk mund të tregojnë emrin e tyre dhe madje as më të rriturit, pasi shpesh janë në shok, kështu që mund të jetë jashtëzakonisht e vështirë t’i identifikosh dhe potencialisht t’i ribashkosh me familjen e tyre të gjera”, ka shtuar Crick. “Le ta kemi parasysh se ata shpesh janë gjithashtu në një situatë shumë të rëndë. Ata mund të kenë fëmijë të tjerë për të cilët duhet të kujdesen, gjithashtu të pashoqëruar”.
Që nga fillimi i luftës, SOS-Fshatrat e Fëmijëve, që punojnë për Unicefin, kanë thënë se ka pranuar 55 fëmijë të tillë, të gjithë të moshës nën 10 vjeç. Organizata ka punësuar staf shtesë të specializuar në Rafah për të dhënë ndihmë psikologjike.
Një anëtar i lartë i stafit të SOS-it ka treguar për një katërvjeçare që ishte lënë në postblloqe. Ajo u soll çrregullim ankthi që e la të paaftë të fliste për atë që i kishte ndodhur asaj dhe familjes, por tani po përparon pasi u mirëprit me dhurata dhe luan me fëmijët e tjerë me të cilët jeton.
Unicefi beson se pothuajse të gjithë fëmijët në Gazë tani kanë nevojë për mbështetje të shëndetit mendor. Me jetën e tyre tashmë të shkatërruar, edhe kur të ketë një armëpushim të qëndrueshëm, shumë nga ta do të mbeten me humbje të tmerrshme për të cilat do të hasin në vështirësi për t’i kapërcyer.
Përktheu Latra Gashi