Të paktën tetë persona kanë vdekur si pasojë e një zjarri në një ndërtesë zyrash afër Moskës, raporton agjencia shtetërore e lajmeve Tass.
Disa njerëz raportohet të jenë ende të bllokuar brenda ndërtesës së djegur në Fryazino, rreth 25 km në veri-lindje të kryeqytetit, ka shkruar guvernatori lokal, Andrey Vorobyov në mediat sociale.
Pamjet në internet tregojnë tym të dendur që del nga katet e sipërme të kompleksit tetë-katësh. Në disa video, njerëzit mund të shihen në dritare, ndërsa mediat lokale thanë se një numër njerëzish shiheshin duke u hedhur nga katet e sipërme.
Ndërtesa dikur strehonte Institutin Kërkimor “Platan” dhe industrinë e mbrojtjes, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Tass.
Megjithatë, në një deklaratë për agjencinë nga “Ruselectronics” - një organizatë elektronike në pronësi ruse, thuhet se ndërtesa ka qenë në pronësi private që nga vitet 1990.
Vorobyov ka thënë se tetë ekipe emergjente po punojnë për të shpëtuar ata që ende ishin të bllokuar në ndërtesë.
Ai ka shtuar se një 34-vjeçar është dërguar në spital në gjendje të rëndë, ndërsa dy zjarrfikës po trajtohen gjithashtu për lëndimet e marra nga flakët.
Zyrtarët e ministrisë së Urgjencës kanë thënë se mbi 100 specialistë dhe dy helikopterë po punonin për të shuar zjarrin.
Nuk dihet ende se çfarë e shkaktoi zjarrin, por një dëshmitar okular ka thënë për Tass se ai shpërtheu në katin e gjashtë përpara se të përhapej.