Botë

Të paktën një i vdekur e 4 të lënduar si pasojë e zjarrit në rezervuarët e gazit në Tajlandë

Tajlandë - zjarr në rezervuarët e gazit

Të paktën një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar në Tajlandën lindore të enjten, pasi një zjarr i madh shpërtheu në rezervuarët e depozitimit të gazit në një zonë industriale të vendit.

Zjarri në zonën industriale Mab Ta Phut u vë nën kontroll pas më shumë se gjashtë orësh prej kur filloi, raporton “Associated Press”.

Zjarrfikësit kanë vlerësuar se duhen më shumë se 10 orë për ta shuar atë plotësisht. 

Autoritetet e vendit kanë bërë të ditur se rreth 400 punëtorë dhe banorë janë evakuuar nga provinca ku ndodhi shpërthimi. 

Hetimet për shkaqet e zjarrit po vazhdojnë dhe autoritetet kanë premtuar se do të zbatojnë masa për të parandaluar incidente të tilla.