Të paktën dy persona kanë vdekur dhe 21 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me thikë në një spital në Kinën jugperëndimore.
Policia ka njoftuar se sulmi ka ndodhur në Spitalin Zhenxiong në provincën Yunnan.
Sipas imazheve të publikuara nga gazeta kineze “The Paper”, sulmuesi burrë, i veshur në të zeza, ka sulmuar njerëzit me dy thika, brenda spitalit.
“Aktualisht, të plagosurit po trajtohen në spital. Hetimet janë duke vazhduar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Mbetet e paqartë nëse është arrestuar autori por autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve që të mbyllen në shtëpitë e tyre dhe të shmangin kontaktet me persona të panjohur.
Armët e zjarrit janë të ndaluara në Kinë, por vendi është përballur me një seri sulmesh me thikë vitet e fundit, raporton BBC.
Në gusht të vitit të kaluar, dy persona vdiqën dhe shtatë të tjerë u plagosën pas një sulmi me thikë në një lagje banimi gjithashtu në Yunnan.
Në korrik të atij viti, gjashtë persona, duke përfshirë tre fëmijë, u therën për vdekje në një kopsht fëmijësh në provincën juglindore të Guangdongut.