E përditësuar (11:56) - Ka arritur në 87 numri i të vdekurve si pasojë e sulmeve izraelite në veri të Gazës, ka bërë të ditur ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi
Më shumë se 40 janë plagosur në sulmet izraelite në Beit Lahia, raporton BBC.
Në përditësimin e saj të fundit, ministria shton se një numër i viktimave janë ende nën rrënoja dhe në rrugë të cilat ekuipazhet e ambulancës nuk mund t'i arrijnë.
Të paktën 73 të vrarë në sulmin izraelit në veri të Gazës, thonë autoritetet lokale
Të paktën 73 persona janë vrarë si pasojë e sulmeve izraelite në qytetin Beit Lahia në veri të Gazës, kanë thënë autoritetet e Hamasit, raporton “BBC”.
Dhjetëra të tjerë janë lënduar dhe shumë besohet se janë ende nën rrënoja pas bombardimeve në orët e vona të së shtunës, është thënë nga autoritetet.
Izraeli ka thënë se është duke i analizuar raportimet për viktimat, por tha se shifrat e autoriteteve të Hamasit janë “të ekzagjeruara” dhe nuk përputhen me informacionet që i ka Ushtria izraelite.
Luftimet po vazhdojnë edhe në jug të Libanit si dhe në jug të Bejrutit të dielën në mëngjes.
Izraeli ka thënë se forcat e saja ajrore kanë goditur “175 caqe të terroristëve” në Gaza dhe Liban gjatë ditës së fundit.
Zyra e Qeverisë së Gazës të drejtuar nga Hamasi ka thënë se bombardimet në Beit Lahia në natën e së shtunës ka goditur një zonë të mbingarkuar banimi, dhe 73 persona kanë humbur jetën – një shifër që është raportuar edhe nga Agjencia e mbrojtjes civile të Gazës.
Sipas agjencisë palestineze të lajmeve Wafa, një kompleks i tërë banimi është shkatërruar nga sulmet.
Tentimet e kërkim shpëtimit në Beit Lahia po pengohen për shkak të problemeve me komunikim dhe dëmtimit serioz të rrjetit të internetit në rajon, është thënë nga zyrtarët e shëndetësisë në Gaza.
Sulmet e fund vijnë vetëm disa orë pasi u raportua për të shtëna me armë nga trupat izraelite në drejtim të Spitalit Indonezian në Gaza.
Forca e Mbrojtjes së Izraelit ka thënë për BBC-në se ka goditur shënjestrat e Hamasit dhe se po bën çdo gjë për t’i evituar viktimat civile. Ka thënë se shifrat e dhëna nga zyra e Hamasit janë të ekzagjeruara.
Në një sulm izraelit të premten mbrëma u raportua se humbën jetën 33 palestinezë.