Të paktën 60 palestinezë u vranë dhe dhjetëra u plagosën nga një sulm izraelit në një ndërtesë banimi në qytetin verior të Gazës, Beit Lahiya të martën, njoftoi ministria e Shëndetësisë së Gazës.
Marwan Al-Hams, zyrtar në enklavën e drejtuar nga Hamasi, tha se 17 persona të tjerë ishin të zhdukur dhe 150 persona u plagosën. Mjekët thanë se 20 fëmijë ishin në mesin e të vdekurve, ka raportuar Reuters.
Më vonë të martën, Ismail Al-Thawabta, drejtori i zyrës së mediave qeveritare, tha se numri i viktimave ishte 93.
Ushtria izraelite ka vënë në pikëpyetje shifrat mbi numrin e vdekjeve të publikuara nga zyra e mediave të Hamasit, duke thënë se ato shpesh janë ekzagjeruar.
“Ka dhjetëra të vdekur. Dhjetëra njerëz të zhvendosur jetonin në këtë shtëpi. Shtëpia u bombardua pa paralajmërim paraprak. Siç mund ta shihni, të vdekurit janë aty-këtu, nëpër cepa të shtëpisë”, u shpreh Ismail Ouaida, i cili po ndihmonte në gjetjen e trupave.
Të hënën, Shërbimi i Emergjencave Civile Palestineze bëri të ditur se rreth 100 mijë njerëz u izoluan në Jabalia, Beit Lahiya dhe Beit Hanoun, pa furnizime mjekësore ose ushqimore.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi të martën se të plagosurit në sulm nuk mund të merrnin kujdes pasi mjekët ishin detyruar të evakuonin spitalin aty pranë Kamal Adwan.
“Rastet kritike pa ndërhyrje do t’i nënshtrohen fatit të tyre dhe do të vdesin”, tha ministria në një deklaratë.
Shërbimi i urgjencës i Gazës tha se operacionet e tij ishin ndalur për shkak të sulmit të Izraelit në Gazën veriore. Izraeli pretendon se fushata e tij është të shkatërrojë grupin militant palestinez Hamas, luftëtarët e të cilit ishin kthyer në zonë në luftën njëvjeçare.