Turqia është alarmuar pas vdekjes së pesë dhe plagosjes së 14 personave, në atë që autoritetet e kualifikuan sulm terrorist në Ankara. Ministri i Brendshëm turk bëri të ditur se janë neutralizuar edhe dy nga sulmuesit që e morën në shënjestër selinë e Industrisë turke të Hapësirës Ajrore. Motivi dhe prapavija e kryerësve nuk dihen, pasi asnjë grup ende nuk e ka marrë përgjegjësinë
Persona të armatosur sulmuan selinë e kompanisë shtetërore të hapësirës ajrore në afërsi të kryeqytetit turk, Ankara, duke i lënë të vrarë të paktën pesë dhe të plagosur 14 persona, në atë që autoritetet e kualifikuan si sulm terrorist.
Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, nëpërmjet një postim në rrjete sociale, bëri të ditur se dy nga sulmuesit, që e morën në shënjestër selinë e Industrisë turke të Hapësirës Ajrore në Kahramankazan, janë neutralizuar.
“Një sulm terrorist u krye kundër objekteve TUSAS të Ankarasë, në Kahramankazan. Dy terroristë u neutralizuan”, ka shkruar ai.
Sulmin e ka kualifikuar terrorist edhe presidenti Recep Tayyip Erdogan, që në momentin kur ai ndodhi ka marrë pjesë në konferencën e BRICS-it në qytetin rus Kazan, bashkë me presidentin rus Vladimir Putin.
“Katër persona, katër dëshmorë vdiqën, 14 persona u plagosën. Është ky një akt terrorist tinëzar. Uroj që Allahu t’i presë shpirtrat e dëshmorëve tanë”, ka deklaruar Erdogan para së të konfirmohej që një person i pestë ka vdekur.
Motivi dhe kryerësit e sulmit, të nisur me shpërthim e të pasuar me të shtëna armësh, ende nuk dihen. Asnjë grup ende nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Zyra e prokurorit publik në Ankara ka nisur menjëherë hetimet lidhur me sulmin, bëri të ditur ministri i Drejtësisë, Yilmaz Tunç.
Mediat turke raportuan se sulmi ka ndodhur pasi dy militantë mbërritën në selinë e kompanisë TUSAS nëpërmjet taksisë. Sipas tyre, njëri nga sulmuesit e ka hedhur veten në erë teksa tjetri ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të rojeve të sigurisë së kompleksit.
Pamjet nga kamerat e vëzhgimit brenda një ndërtese treguan dy sulmues, një burrë dhe një grua, me çanta shpine dhe pushkë tek qëndronin pranë hyrjes dhe një trup të shtrirë në trotuar jashtë.
Gjatë viteve të fundit, Turqia është përballur me sulme të shpeshta të këtilla, që janë ndërmarrë kryesisht ose nga separatistë kurdë ose nga xhihadistë të Shtetit Islamik.
