Të paktën 45 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë zhdukur si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut në Keninë perëndimore.
Shkak i përmbytjeve fillimisht u mendua se qe plasja e një dige, raporton “Associated Press”.
Por në një deklaratë të hënën vonë, autoritetet e qarkut Nakuru bënë të ditur se masa e ujit që shkaktoi përmbytjet ishte shkak i bllokimit të një tuneli hekurudhor.
Shirat e vazhdueshëm në Keni kanë shkaktuar përmbytje që kanë lënë të vdekur të paktën 169 njerëz që nga mesi i muajit mars, dhe Departamenti i Meteorologjisë i vendit ka paralajmëruar për më shumë reshje ditëve në vazhdim.