Të paktën 40 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite përgjatë Gazës të dielën, duke përfshirë dhjetëra, kur është goditur një banesë banimi në qytetin verior Jabalia, kanë thënë zyrtarët palestinezë të shëndetësisë dhe një grup i të drejtave të njeriut.
Qendra palestineze për të Drejtat e Njeriut (PCHR) në Gaza ka thënë se të paktën 24 njerëz janë vrarë, kur një sulm izraelit ka shkatërruar një ndërtesë tre katëshe në Jabalia. Tridhjetë njerëz të tjerë nga shtëpitë përreth janë lënduar, ka thënë PCHR-ja në një deklaratë.
Ushtria izraelite ka thënë se ka goditur një zonë në Jabalia ku “terroristët ishin duke operuar”, raporton Reuters.
“Këta terroristë kanë kërcënuar trupat e IDF-së (Forcat izraelite të Mbrojtjes), që po operonin në zonë. Detajet janë duke u shqyrtuar”, ka thënë ushtria.
Në qytetin e Gazës, një sulm ajror izraelit në një shtëpi në lagjen Sabra të dielën, ka vrarë Wael Al-Khour, një zyrtar në ministrinë e mirëqenies, si dhe gruan, njërin djalë, dy vajza dhe tri nipa të tij, kanë thënë zyrtarët dhe të afërmit.
Shoqata palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe ka thënë se ekipet e saj, në bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, kanë evakuuar 20 pacientë nga spitali Al-Awda në Jabalia të dielën në një objekt tjetër në qytetin e Gazës.
Ka thënë gjithashtu se një nga pacientët ka vdekur, teksa ambulanca po mbahej për orë të tëra në një pikë kontrolluese izraelite, e cila i ndan zonat veriore të Gazës nga qyteti i Gazës.
Tri spitalet në dhe rreth Jabalias janë rrethuar nga forcat izraelite për javë të tëra dhe zyrtarët e spitalit i kanë refuzuar urdhrat e ushtrisë për t’i evakuuar objektet ose t’i lënë pacientët pa vëzhgim, pavarësisht mungesës së ushqimit dhe furnizimeve mjekësore e të karburantit.
Ushtria izraelite e akuzon grupin militant palestinez Hamas për shfrytëzim të popullsisë dhe pronave civile në Gaza për qëllime ushtarake, akuzë që grupi militant e mohon.
Krahu i armatosur i Hamasit ka thënë se ka vrarë 15 ushtarë izraelitë në një sulm në qytetin Beit Lahiya, në veri të Jabalia, të dielën.
Shërbimi i Emergjencave Civile palestineze thotë se operacionet e tij janë ndalur, për shkak të një bastisjeje të vazhdueshme nga forcat izraelite në dy qytete dhe një kamp refugjatësh në Gazën veriore, e cila ka filluar më 5 tetor.
Izraeli thotë se ka dërguar forca ushtarake nga 5 tetori në Jabalia, Beit Lahiya dhe Beit Hanoun në Gazën veriore për t’i luftuar militantët e Hamasit që kryejnë sulme nga atje dhe për t’ua parandaluar rigrupimin. Gjithashtu thotë se trupat izraelite kanë vrarë qindra militantë në ato zona që nga fillimi i ofensivës së re.