Forcat izraelite kanë intensifikuar bombardimet në Rripin e Gazës të dielën, duke vrarë të paktën 31 persona, kanë thënë mjekët palestinezë, me gjysmën e viktimave të raportuara në zonat veriore ku ushtria ka zhvilluar një fushatë një mujore, për të cilën thotë se është për ta parandaluar rigrupimin e Hamasit.
Palestinezët kanë thënë se ofensivat e reja ajrore dhe tokësore, si dhe evakuimet e detyruara janë “pastrim etnik”, të synuara për t’i boshatisur dy qytete veriore të Gazës dhe një kamp të refugjatëve për të krijuar zona tampon. Izraeli e mohon këtë, duke thënë se po i lufton militantët e Hamasit që i nisin sulmet nga atje, raporton Reuters.
Mjekët kanë thënë se të paktën 13 palestinezë janë vrarë në sulme të ndryshme në shtëpitë e qytetit Beit Lahiya dhe Jabalia, kampi më i madh historik i refugjatëve i enklavës dhe fokusi i ofensivës së re ushtarake. Të tjerë janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në qytetin e Gazës dhe zonat jugore.
Ndërkohë, COGAT, agjencia e çështjeve civile palestineze e ushtrisë izraelite, ka thënë se ka lehtësuar nisjen e rundit të dytë të fushatës së vaksinimit ndaj poliomielitit në Gazën veriore të shtunën dhe se 58.604 fëmijë kanë marrë nga një dozë.
Ministria e Shëndetësisë së Gazës tha se ofensiva ushtarake e Izraelit në Gazën veriore po e ndalonte vaksinimin e mijëra fëmijëve në Jabalia, Beit Lahiya dhe Beit Hanoun.
Sipas Ministrisë, një klinikë është sulmuar nga izraelitët, teksa prindërit kanë sjellë fëmijët e tyre për ta marrë dozën anti-poliomielit të shtunën, ku katër fëmijë janë plagosur.
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha në një deklaratë se incidenti ndodhi pavarësisht pauzës humanitare të akorduar nga të dy palët ndërluftuese, Izrael dhe Hamas, për ta lejuar fushatën e vaksinimit.
LEXO EDHE: