Dhjetëra njerëz, përfshirë një fëmijë, u vranë të shtunën pasi një sulm ajror izraelit goditi një shkollë private në Deir al-Balah, ku palestinezët e zhvendosur po strehoheshin, raporton agjencia “AP”.
Sulmi ajror goditi Khadeja Benevolent, një shkollë për vajza, duke vrarë të paktën 30 persona dhe duke plagosur më shumë se 100 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Të vrarët dhe të plagosurit u transferuan në spitalin Al Aqsa.
Mbrojtja Civile ka njoftuar në Telegram se shkolla po strehonte më shumë se 4 mijë palestinezë të zhvendosur.
Klasat ishin kthyer në gërmadha. Njerëzit u panë duke kërkuar për viktima nën rrënoja dhe disa po mblidhnin trupat e atyre që u vranë.
Po të shtunën, Ushtria izraelite urdhëroi evakuimin e një pjese të një zone të caktuar humanitare në Gaza përpara një sulmi të planifikuar ndaj Khan Younis të shtunën.
Urdhri i evakuimit ishte në përgjigje të sulmit me raketa që Izraeli pretendon se e kishte origjinën nga zona.
Ushtria ka njoftuar se kishte planifikuar një operacion kundër militantëve të Hamasit në qytet, duke përfshirë pjesë të Muwasit, kampin e mbushur me tenda në një zonë ku Izraeli u ka bërë thirrje mijëra palestinezëve që të kërkojnë strehim gjatë gjithë luftës.
Sulmi i planifikuar vjen një ditë përpara takimit të zyrtarëve nga SHBA-ja, Egjipti, Katari në Itali për të diskutuar negociatat e vazhdueshme të pengjeve dhe armëpushimit.