E përditësuar (11:59) - Ka shkuar në 51 numri i të vdekurve si pasojë e një shpërthimi në një minierë qymyri në Iranin lindor, që u shkaktua nga një rrjedhje gazi.
Më shumë se 20 të tjerë u plagosën pas shpërthimit në provincën e Khorasanit të Jugut, raporton BBC.
Shpërthimi raportohet të ketë ndodhur në dy blloqe të minierës në Tabas, 540 km në juglindje të kryeqytetit Teheran.
Guvernatori i Khorasanit të Jugut, Javad Ghenaatzadeh, ka thënë se në momentin e shpërthimit në blloqe ishin 69 punëtorë.
Të paktën 30 të vdekur nga shpërthimi në një minierë qymyri në Iran
Të paktën 30 persona kanë vdekur dhe 17 tjerë janë lënduar pasi një rrjedhje e metanit ka shkaktuar një shpërthim në një minierë qymyri në lindje të Iranit, raporton agjencia “AP”.
Mediumi shtetëror iranian ka raportuar se 24 minatorë besohen se kanë mbetur të ngujuar brenda minierës.
Shpërthimi ndodhi në minierën e qymyrit në Tabas, rreth 540 kilometra në juglindje të kryeqendrës Teheran.
Ekipet e emergjencës janë dërguar në vendin e ngjarjes. Rreth 70 persona ishin duke punuar në momentin e shpërthimit.
Guvernatori rajonal, Mohammad Javad Qenaat, ka thënë se 30 minatorë kanë vdekur e 17 janë lënduar.
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkiani, ka urdhëruar që të bëhen gjitha përpjekjet për të shpëtuar të ngujuarit dhe të ndihmohen familjet e viktimave. Ai po ashtu ka thënë se ka nisur hetimi për rastin.