Të paktën 30 persona raportohet se janë lënduar, 17 prej të cilëve në gjendje të rëndë, pas rrëzimit të një teleferiku në veri të Spanjës, raporton BBC të shtunën.
Resorti Astun në Pirenejtë spanjolle, ku ndodhi aksidenti, është mbyllur teksa ekipet e shpëtimit kanë mbërritur në vendngjarje.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka thënë se ishte i tronditur nga lajmi i incidentit.
Ambulancat dhe helikopterët kanë transportuar të lënduarit në spitalet më të afërta.
Një nga transmetuesit publik të Spanjës raporton se dhjetëra njerëz kanë ngecur në teleferik, 15 metra lart nga toka, në pritje të ndihmës.
Sipas një dëshmitari, i cili ka folur për mediat lokale, problemi qëndronte te kabllot e teleferikut. Ende nuk dihet shkaku i prishjes së kabllove.