Botë

Të paktën 25 të vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës

Gaza

Foto: Associated Press

Të paktën 25 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, kanë mbetur të vrarë pas sulmeve të fundit izraelite në Rripin e Gazës, ka njoftuar agjencia për mbrojtjen civile.

Izraeli i dha fund armëpushimit me grupin militant palestinez Hamas në muajin që shkoi dhe i rifilloi operacionet ushtarake që deri më tani kanë lënë të vdekur mijëra persona dhe kanë vendosur nën kontroll pjesë të mëdha të enklavës palestineze.

Sipas zyrtarëve izraelitë, rinisja e sulmeve ushtarake ka për qëllim rritjen e presionit ndaj Hamasit në mënyrë që të lirohen të gjitha pengjet e mbetura në Gaza. Këtë qëndrim e ka riafirmuar një ditë më parë edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahiu, i cili u zotua se Izraeli do ta vazhdojë ofensivën ushtarake.

Lufta shpërtheu si pasojë e sulmit të Hamasit në Izrael në tetorin e vitit 2023, i cili rezultoi në vrasjen e afër 1.200 personave dhe rrëmbimin e rreth 250 të tjerëve.

Ndërkaq, ofensiva hakmarrëse e Izraelit deri më tani ka vrarë mbi 50,000 njerëz, shifra këto që konsiderohen të besueshme nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.