Rusia ka nisur një sulm të ri në qytetin ukrainas Kharkiv, duke goditur ndërtesa disakatëshe, duke lënë të plagosur të paktën 21 persona, kanë raportuar autoritetet ukrainase njofton agjencia “Reuters”.
Bombat kanë rënë të shtunën mbrëma në distriktin Shevchenkivsky, në veri të Kharkivit, ka thënë guvernatori lokal, Oleh Syniehubov. Ndërtesat e banimit kanë pësuar shkallë të ndryshme të dëmit, duke përfshirë dy ndërtesa 16 dhe 9-katëshe. Këshilli i qytetit të Kharkivit ka thënë se 18 ndërtesa janë dëmtuar.
Të plagosurit përfshijnë një fëmijë 8-vjeçar, sipas Syniehubovit dhe kryebashkiakut të Kharkivit, Ihor Terekhov. Terekhovi ka thënë se 60 banorë janë evakuuar nga një prej ndërtesave, që është goditur drejtpërdrejtë. Zyrtarët ukrainas kanë thënë se bombat areale të tipit KAB janë përdorur në sulm.
Rusia gjithashtu ka lëshuar 80 dronë “Shahed” dhe dy raketa drejt Ukrainës, kanë thënë forcat ajrore ukrainase. Mbrojtja ajrore ukrainase ka rrëzuar 71 dronë dhe gjashtë të tjerë kanë humbur për shkak të kundërmasave ndaj luftës elektronike, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu të dielën, granatimet ukrainase plagosën 10 persona në rajonin jugor të Belgorodit të Rusisë në kufi me Ukrainën, sipas guvernatorit, Vyacheslav Gladkov. Midis tyre ishte një kryetar fshati dhe anëtarë të një force lokale të vetëmbrojtjes, tha Gladkovi.