Burra të armatosur kanë vrarë të paktën 21 persona, në një minierë të qymyrit në provincën Balochistan në jugperëndim të Pakistanit, sipas policisë lokale.
Sulmuesit kanë bastisur ndërtesën strehuese të punëtorëve në minierat e kompanisë së qymyrit “Junaid” në distriktin Duki, në orët e hershme të mëngjesit të së premtes, ku kanë mbledhur burrat dhe pastaj kanë shtënë drejt tyre.
Punonjësit janë sulmuar me armë të tilla si raketahedhës dhe granata dore, ka thënë policia, ndërsa një i mbijetuar gjithashtu ka treguar se ka parë edhe një dron në ajër.
“Kur sulmuesit janë afruar, kanë bërtitur ‘ju treguam ta ndalonit punën këtu, pse nuk e bëtë?’”, ka thënë ai. Ai ka thekuar se sulmuesit kanë folur në pashto, gjuhë iraniane lindore. “Pastaj ata kanë filluar të qëllojnë”.
I mbijetuari vlerëson se sulmi ka zgjatur rreth një orë e gjysmë, gjatë së cilës makinerisë i është vënë zjarri. Ai gjithashtu ka dëgjuar eksplodime të zhurmshme, çka mendon se i kanë shkaktuar granatat.
Asim Shafi, shefi i policisë në distriktin Duki, ka konfirmuar se granata dore dhe raketahedhës janë përdorur në sulm, i cili besohet të jetë kryer nga rreth 40 persona, të cilët më pas janë zhdukur “gjatë natës”.
Policia ka konfirmuar se katër nga viktimat ishin afganë, ndërsa të tjerët ishin nga zonat pashto-folëse të Balochistanit.
Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për vrasjet deri më tani. Në të kaluarën, Ushtria Çlirimtare Baloche separatiste (BLA) ka kryer disa sulme vdekjeprurëse në provincë.