Botë

Të paktën 200 kandidatë u tërhoqën nga gara para rundit të dytë të zgjedhjeve në Francë

Zgjedhjet në Francë

Zgjedhjet në Francë

Foto: Associated Press

Të paktën 200 kandidatë janë tërhequr nga gara për rundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare të Francës, që do të zhvillohet më 7 korrik, në përpjekje për të ndihmuar mposhtjen e “Tubimit Kombëtar” të ekstremit të djathtë.

Palët kishin kohë deri në orën 18:00 sipas kohës lokale, të martën, për të regjistruar kandidatët për të dielën, raporton BBC.

Më vonë do të bëhet e qartë se sa nga e majta dhe nga qendra e kanë braktisur garën me shpresën për të unifikuar votën kundër “Tubimit Kombëtar”.

Rundi i parë i së dielës së kaluar përfundoi me një fitore të madhe për partinë e Marine Le Pen, e cila bashkë me aleatët fitoi rreth 33% të votave.

Një aleancë e gjerë e krahut të majtë doli e dyta, dhe centristët e presidentit Emmanuel Macron të tretit.

Por shanset e Le Pen për të fituar një shumicë të plotë në Asamblenë Kombëtare me 577 vende janë dëmtuar nga taktikat bllokuese të armiqve të partisë së saj.

Në më shumë se gjysmën e zonave zgjedhore, rreth 300, tre kandidatë u kualifikuan nga rundi i parë i votimit (pothuajse kudo tjetër ishin vetëm dy).

Nëse në këto zona zgjedhore një nga dy kandidatët që nuk është i “Tubimit Kombëtar” qëndron mënjanë, kjo rrit shanset që kandidati i kësaj partie të mposhtet.

Deri në mesditën e së martës rreth 200 kandidatë nga e majta dhe qendra u kuptua se kishin marrë hapin.