Botë

Të paktën 20 palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës

Lufta ne Gaza

Foto: Associated Press

Sulmet e ushtrisë izraelite përgjatë Rripit të Gazës kanë vrarë 20 palestinezë të hënën, duke përfshirë gjashtë të vrarë nga sulmet në tendat që strehojnë familje të zhvendosura, kanë thënë mjekët.

Katër njerëz, dy prej tyre fëmijë, janë vrarë në një sulm ajror izraelit në kampin me tenda në zonën bregdetare të Al-Mawasi, e cilësuar si zonë humanitare, raporton Reuters.

Dy të tjerë janë vrarë në strehimoret e përkohshme në qytetin jugor, Rafah dhe një tjerër në një sulm me dronë, kanë thënë zyrtarët shëndetësorë.

Në qytetin Beit Lahiya në veri të Gazës, mjekët kanë thënë se një sulm izraelit ka goditur një shtëpi, duke vrarë të paktën dy njerëz dhe duke lënduar disa të tjerë.

Ushtria izraelite, e cila ka qenë duke e luftuar grupin militant palestinez, Hamas në Gaza që nga tetori i vitit 2023, ka thënë se ka kryer sulme mbi “shënjestrat terroriste” në Beit Lahiya.

Një sulm ajror izraelit në një shtëpi në qytetin e Gazës ka vrarë shtatë persona dhe ka plagosur 10 të tjerë, kanë thënë mjekët. Të hënën vonë, një sulm ajror izraelit ka vrarë katër persona në kampin Nuseirat në Rripin qendror të Gazës, kanë shtuar ata.

Izraeli ka thënë se ka vrarë qindra militantë në tri zonat veriore, të cilat banorët kanë thënë se janë bllokuar nga ushtria, duke e bërë të vështirë dhe të rrezikshme për t’u larguar.

Krahu i armatosur i Hamasit dhe grupi militant, Xhihadi Islamik kanë thënë se kanë vrarë shumë ushtarë izraelitë, gjatë sulmeve me raketa anti-tank dhe predha gjatë periudhës së njëjtë.