Të paktën 15 persona kanë vdekur si pasojë e një shpërthimi në një pikë karburanti që shkaktoi zjarr masiv, në Jemenin qendror.
Shpërthimi ka ndodhur të shtunën në provincën Bayda, ka thënë në një deklaratë Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga rebelët Houthi. Të paktën 67 të tjerë kanë mbetur të lënduar, përfshirë 40 në gjendje kritike, raporton AP.
Autoritetet kanë bërë të ditur se ekipet e shpëtimit po vazhdojnë të kërkojnë për të zhdukurit e raportuar. Nuk është ende e qartë se çfarë e shkaktoi shpërthimin.
Bayda kontrollohet nga rebelët Houthi të mbështetur nga Irani, të cilët kanë qenë në luftë me qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit për më shumë se një dekadë.