Të paktën 11 persona u vranë dhe 30 u plagosën, përfshirë pesë fëmijë, në sulmet ruse me raketa dhe dronë në qytetin lindor të Ukrainës, Dobropillia gjatë natës, ka njoftuar të shtunën Ministria e Brendshme e Ukrainës, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”.
Forcat ruse sulmuan Dobropilian me raketa balistike dhe dronë, duke shkaktuar dëme në tetë ndërtesa shumëkatëshe dhe 30 automjete, sipas ministrisë. Sulmi rezultoi në vdekjen e 11 personave, përfshirë pesë fëmijë, dhe la të plagosur 30 të tjerë.
“Gjatë shuarjes së zjarrit, pushtuesit goditën sërish, duke dëmtuar një mjet zjarrfikës”, ka shkruar ministria në aplikacionin Telegram.
Ministria gjithashtu ka publikuar fotografitë e ndërtesave pjesërisht të shkatërruara të përfshira nga flakët dhe punonjësit e shpëtimit që pastronin mbeturinat.
Ministria njoftoi gjithashtu se tre civilë u vranë në një sulm tjetër me dronë në rajonin e Kharkivit në verilindje, e 7 u plagosën.
"Sulme të tilla tregojnë se objektivat e Rusisë nuk kanë ndryshuar. Prandaj, është thelbësore të vazhdojmë të bëjmë më të mirën për të mbrojtur jetët, për të forcuar mbrojtjen tonë ajrore dhe për të rritur sanksionet kundër Rusisë. Çdo gjë që e ndihmon Putinin të financojë luftën duhet të shembet", ka deklaruar presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy në rrjetin social “Facebook”.
Dobropillia, ishte shtëpi e rreth 28,000 njerëzve para luftës, ajo gjendet në rajonin e Donetskut në Ukrainën lindore, 22 kilometra nga vija e frontit në veri të qendrës kryesore të Pokrovskut, të cilën trupat ruse janë duke e sulmuar qe disa javë.
Ushtria ukrainase ka njoftuar se Rusia ka sulmuar Ukrainën gjatë natës me dy raketa balistike Iskander-M, një raketë Iskander-K dhe 145 dronë.
Ushtria ka treguar se forcat ajrore kanë rrëzuar një raketë Iskander-K dhe 79 dronë, por 54 dronë të tjerë nuk arritën objektivat e tyre, me gjasë për shkak të kundërmasave elektronike.