Përgjatë Ukrainës, të rinjtë janë duke përjetuar humbje, frikë dhe ankth. Një numër në rritje kanë probleme me gjumin, kanë ankth ose rikujtime të ngjarjeve. Ka pasur gjithashtu rritje të rasteve të depresionit fëmijëror në mesin e gjeneratës që është duke u rritur nën tmerret e luftës. E prindërit e tyre po e bëjnë të pamundurën t’ua heqin mendjen nga kaosi që po ndodh jashtë shtëpisë së tyre.
Në moshën 12-vjeçare, Lera është duke u mësuar të eci përsëri. Me hapa të vegjël në fillim, por më me vetëbesim në secilin hap që e bën.
Verën e kaluar një sulm rus me raketë ia ka thyer njërën këmbë dhe tjetrën ia ka djegur rëndë.
Rreth 2.000 fëmijë janë lënduar ose janë vrarë në Ukrainë qëkur presidenti rus, Vladimir Putin e ka nisur pushtimin e plotë të vendit. Por lufta nuk lë gjithmonë plagë të dukshme, sikur ato në këmbën e Leras.
“Gati secili fëmijë ka probleme të shkaktuara nga lufta”, thotë Kateryna Bazyli, psikologe. “Ne jemi duke parë një numër të madh të fëmijëve që vijnë te ne me simptoma të pakëndshme”.
Përgjatë Ukrainës, të rinjtë janë duke përjetuar humbje, frikë dhe ankth. Një numër në rritje kanë probleme me gjumin, kanë ankth ose rikujtime të ngjarjeve.
Ka pasur gjithashtu rritje të rasteve të depresionit fëmijëror në mesin e gjeneratës që është duke u rritur nën tmerret e luftës.
‘Mendova se ishte aeroplan’
Lera e ka parë raketën që e ka lënduar disa sekonda para se ta godiste.
Kanë qenë pushimet e nxehta verore dhe qendra e Chernihivit ka qenë e zënë. Ajo dhe shoqja e saj, Kseniya, kanë qenë duke u përpjekur t’ia shisnin bizhuteritë e bëra vetë turmës që ecte afër tyre.
“Kam parë diçka që fluturonte lart e poshtë. Kam menduar se ka qenë ndonjë lloj aeroplani që do të fluturonte lart përsëri, por ishte raketë”, thotë Lera, duke folur shpejt sikur nuk donte ta kuptonte se çfarë thoshte.
Pas eksplodimit, ajo ka vrapuar sa andej, sa këtej në panik me këmbën e saj të thyer, derisa e ka kuptuar se është lënduar.
“Njerëzit thonë se isha në gjendje shoku. Vetëm kur më tha Kseniya, ‘Shikoje këmbën!’ fillova ta ndjeja dhimbjen. Ishte e tmerrshme”.
Në fillimet e luftës në vitin 2022, bombardimet e Chernihivit në veri të Ukrainës kanë qenë të shpeshta. Por brenda javësh, forcat ruse janë shtyrë pas. Dhe jeta ka filluar të rikthehet në qytet.
Pastaj, më 19 gusht të 2023-s, teatri lokal e ka mbajtur një ekspozitë për prodhuesit e dronëve dhe Rusia ka sulmuar në atë moment. Copa të metalit kanë fluturuar gjithandej në rrugë.
Pas nëntë muajsh, Lera i tërheq pantallonat e veta për t’i zbuluar plagët e thella dhe lëkurën e transplantuar. Ka një gungë të madhe në vendin ku janë vendosur implantimet e metalit.
Plagët janë duke u shëruar mirë dhe tani ajo arrin të lëvizë ngadalë me patericat e saj. Por frikësohet akoma nga zhurma e sirenave për sulme ajrore.
“Nëse tregojnë se një raketë është drejtuar drejt Chernihiv atëherë unë çmendem”, thotë ajo. “Është shumë keq”.
Ajo insiston se është duke u bërë më mirë dhe se nuk ka ndërruar si person, por motra e saj nuk është kaq e sigurt.
“Je më eksplozive”, i thotë Irina asaj. Lera pohon me kokë. “Nuk kam qenë kaq agresive më herët”.
Sipas psikologëve të fëmijëve, është një nga shumë reagimet e para ndaj streseve të luftës.
“Fëmijët nuk e kuptojnë çfarë u ka ndodhur atyre, ose për emocionet që janë duke i ndjerë”, shpjegon Iryna Lisovetska, nga shoqata e bamirësisë “Zërat e Fëmijëve”, e cila është duke i ndihmuar qindra të rinj ukrainas përgjatë vendit. “Ata e shfaqin agresionin vetëm si formë vetëmbrojtjeje”.
Për Leran lufta ka qenë dyfish mizore.
Disa muaj para se të lëndohej, vëllai i saj është vrarë në luftë duke luftuar në vijën e frontit. Ata dy kanë qenë shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe Lera akoma lufton ta pranojë faktin se Sasha nuk është më.
“E imagjinoj sikur ai do të na thërrasë në çdo moment. E shihja fytyrën e tij te kalimtarët nëpër rrugë. Akoma nuk mund ta besoj çfarë ka ndodhur”, thotë ajo qetësisht, e mbuluar me flamurin e Ukrainës që planifikon ta vendosë në varrin e Sashas, duke e zëvendësuar atë që është prishur nga era.
Pa paralajmërim, Irna e hap telefonin dhe zëri i thellë i Sashas e mbush dhomën. “Ju dua shumë”, iu thotë ushtari motrave të tij, në mesazhin e fundit me audio të dërguar nga fronti.
Është hera e parë që Lera e dëgjon zërin e tij prej se ka vdekur. Mjekra e saj dridhet nga emocionet.
‘Dua t’i rikthehem normalitetit’
Frika më e madhe e Danielit është të përjetojë humbje, sikur Lera.
Babai i tij është ushtar, që shërben afër qytetit të tij në Kharkiv, ku luftimet janë intensifikuar.
Kohëve të fundit, trupat ruse e kanë kaluar kufirin me një ofensivë të befasishme, duke pushtuar tokë të re, teksa janë rritur sulmet me raketa në qytet. Në mesin e të vrarëve gjatë javëve të fundit, është edhe një vajzë 12-vjeçare, e cila ka qenë duke blerë gjëra me prindërit e saj.
“Babai më thotë që gjithçka është në rregull, por e di që situata atje nuk është e mirë”, thotë Danieli. “Normalisht që shqetësohem për të”.
12-vjeçari tani jeton në perëndim të Ukrainës bashkë me nënën e tij, goxha larg nga Kharkivi. Raketat ruse e arrijnë Ivano-Frankivskun, por ka më shumë paralajmërime për to. Rrugët janë të mbushura dhe të qeta. Madje ka edhe bllokim trafiku.
Por edhe këtu, Danieli nuk mund t’i largohet konfliktit. Ai e ka vendosur një lutje mbi krevatin e tij, të cilën e reciton çdo natë për sigurinë e babait të tij, edhe pse nuk ka qenë fetar më herët.

Për një kohë, ai dhe nëna e tij, Kateryna, kanë qenë refugjatë. Ata janë kthyer në Ukrainë sepse ajo është psikologe e fëmijëve dhe e ka parë nevojën urgjente për aftësitë e saj.
Ajo e bën më të mirën për ta shpërqendruar djalin e saj me aktivitete të ndryshme: në park dhe në kursin e kitarës. Ai ka bërë muzikë për t’i rritur fondet për ushtrinë ukrainase dhe shkon në një klub të ndeshjes, për ta ndihmuar t’u bëjë ballë ngacmuesve në shkollë.
“Jam përpjekur t’i gjej gjërat që i kanë pëlqyer më parë, për t’i vazhduar edhe këtu dhe është duke funksionuar”, thotë Kateryna.
Por djali nga verilindja akoma përpiqet të përshtatet.
“Më pengon shumë kur ka sulme ajrore sa jam në shkollë dhe të gjithë janë të lumtur se do ta ndërpresim mësimin”, thotë Danieli. “Këtu, sirena nënkupton shkuarjen në bunker. Por në fakt nënkupton se ka luftime diku tjetër në Ukrainë”.
Danieli i numëron orët para telefonatës me video me babanë. Babai i tij ka qenë duke i dërguar pako me materiale të artit, në mënyrë që ai, nga distanca, ta mësojë si të vizatojë.
“Unë dua ta besoj se lufta do të përfundojë së shpejti”, thotë Danieli, për dëshirën e tij më të madhe. Në atë mënyrë ai mund të kthehet në shtëpi në Kharkiv. “Dhe kjo do të ishte fantastike”.
‘Ishte shumë e frikshme’
Angelina 8-vjeçare është akoma në qytet, duke jetuar në mes të zonës së bombardimeve.
Ajo është nga periferia e Saltivkas, e cila është shtëpia e Danielit gjithashtu. Kur trupat ruse kanë avancuar në këtë rajon dy vjet më parë, qyteti ka qenë në vijën e qitjes dhe Angelina ka qenë duke u strehuar me familjen se saj në bodrumin e tyre.
“Ishte shumë e frikshme. E vetmja gjë që e mendoja ishte, kur do të përfundonte e gjitha? Ka pasur raketa dhe një avion ka fluturuar sipër nesh”, tregon vajza, duke i tërhequr mëngët e xhupit të saj.
Në fillim të marsit të 2022-s, blloku i afërm gjigand me banesa është shkatërruar nga një raketë.
Nëna e Angelinas, Anya, i ka thënë asaj të mbyllte veshët dhe të shtrihej e qetë.
“Kam menduar se do të varroseshim poshtë rrënojave. Që ndërtesa jonë do të goditej dhe se do të rrëzohej”, thotë ajo, duke e rikujtuar ngjarjen.
Pastaj, ata janë larguar.
Por kur forcat ukrainase e kanë liruar rajonin verior vitin e kaluar, familja është rikthyer në Saltivka. Ata janë të vetmit njerëz që jetojnë në bllokun e tyre me banesa, të rrethuar nga ndërtesat e nxira nga tymi dhe xhamat e thyer. Pavarësisht vrimave nga predhat në murin e kuzhinës, prapëseprapë është shtëpia e tyre.
Tani Kharkivi është përsëri vend i mbushur me ankth. Sulmi me bombë i ditëve më parë, në një dyqan, ka qenë afër banesës së Angelinas.
Vladimir Putini thotë se ai nuk ka plane për marrjen e qytetit, por ukrainasit janë mësuar që kurrë mos t’iu besojnë fjalëve të tij.
“Kur ata i fillojnë bombardimet, i them nënës se po shkoj të korridori dhe ajo vjen e ulet afër meje”, thotë Angelina, e qetë pavarësisht përjetimeve të saj.

Kalimi në korridor e vendos një mur shtesë mes trupit dhe çdo eksplodimi. Është mbrojtje minimale.
Angelina duhet ta kishte nisur shkollën deri më tash, por shkolla ka një vrimë të krijuar nga bombardimet. Ajo nuk e mban mend shumë mirë kopshtin, sepse para fillimit të pushtimit ka qenë Covidi.
Anya përpiqet t’ia mposhtë vetminë duke e çuar vajzën nëpër shumë aktivitete, duke e përfshirë këtu edhe një aktivitet me kafshë. Ky aktivitet mbahet nga UNICEF-i, poshtë në metro për shkaqe sigurie.
Duke ia hedhur topin qenit të quajtur Petra, Angelinës i rikthehet jeta në fytyrë dhe fillon të qeshë.
Por kur bie mbrëmja në shtëpinë e saj, dritat nuk ndizen më. Rusia ka qenë duke i shënjestruar furnizimet e energjisë.
Prandaj Angelina ndez një qiri, me kujdes dhe trupi i saj i vogël krijon një hije të madhe brenda banesës së tyre. “Kjo ndodh tërë kohën”, thotë ajo, për ndaljen e rrymës.
Sikur Lera dhe Danieli, Angelina është duke u adaptuar me luftën në mënyrën më të mirë të mundshme.
Por përgjatë vendit, ka rritje të kërkesës për mbështetje.
“Ne u themi fëmijëve që është në rregull ta ndjejnë çfarëdo që ndjejnë”, shpjegon Kateryna Bazyli.
“Ne u themi se mund t’ju ndihmojmë në kontrollimin e këtyre emocioneve, në mënyrë që të mos shkatërrojnë gjithçka rreth tyre. Ose veten e tyre”.
“Kur e mendoj se a ka mjaft ndihmë të tillë për të gjithë...”, mendon ajo. “Ta them të drejtën, ne kemi një radhë të gjatë”.