Rohingyat kanë vuajtur nga masakrat masive të ushtrisë së Birmanisë në vitin 2017 dhe në kampet e refugjatëve të Bangladeshit. Gjatë dy viteve të fundit, ata janë larguar për në Malajzi përmes detit. Një anije prej 140 refugjatësh Rohingya është përmbytur në mars, por çka ka çuar në përmbytjen e saj dhe pse?
Anija ishte duke udhëtuar nëpër ujërat e errëta dhe të qeta, nën qiellin e natës pa re dhe pa shi. Por, në bord, 12-vjeçarja ishte e tronditur nga frika.
Tortura ndaj saj dhe tri vajzave tjera nga kapiteni dhe ekuipazhi nuk kishin mjaftuar, pasi burrat i kishin kërcënuar me vdekje nëse nuk do t’u bindeshin urdhrave të tyre.
Ishe nata e tretë që vajza dhe gati 140 refugjatë të tjerë Rohingya ishin bllokuar në anijen prej druri të peshkimit, që lundronte në brigjet e Indonezisë. Fëmijët, gratë dhe burrat ishin larguar nga Bangladeshi dhe Birmania për t’u arratisur nga dhuna dhe tmerret, për t’u ballafaquar pastaj me tmerret e njëjta nga ekuipazhi i anijes.
E strukur mes grave dhe vajzave të tjera, 12-vjeçarja – e identifikuar me inicialin N, meqë është viktimë e sulmit seksual – ishte përpjekur ta fshihte fytyrën. Ajo veç se i kishte mbijetuar natës në dhomën e kapitenit, ku ka thënë se ishte rrahur dhe abuzuar seksualisht nga ekuipazhi.
Si shumica e pasagjerëve, ajo i kishte mbijetuar sulmeve nga ushtria e Birmanisë, që e kishte detyruar atë dhe familjen e saj të largohej për në Bangladesh. Atje i kishte mbijetuar dhunës gati shtatëvjeçare në kampet e refugjatëve. Dhe deri më tash i kishte mbijetuar udhëtimit, duke shpresuar se do të arrinte në Malajzi, ku i ishte premtuar një burri të panjohur si nuse.
Jeta e saj ishte betejë e gjatë për mbijetesë. Dhe siç duket, kjo natë nuk ishte ndryshe.
Kapiteni ishte i inatosur. Ai kishte urdhëruar për vajza të tjera t’i bashkëngjiteshin atij dhe ekuipazhit në dhomë. Askush nuk kishte lëvizur.
“Nëse nuk vini”, kishte bërtitur kapiteni, “atëherë ne do ta përmbysim këtë anije”.
Vuajtjet e Rohingyave
Në mars, zyrtarët indonezianë dhe peshkatarët vendorë kanë shpëtuar 75 njerëz nga barka e përmbysur e anijes nga gjiri i provincës veriore të Indonezisë, Aceh. 67 pasagjerët tjerë, duke përfshirë të paktën 28 fëmijë, kishin vdekur nga përmbytja e anijes, sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR).
Deri më tash, pak dihet se si është përmbytur anija dhe pse.
Kjo është fatkeqësia e fundit që i ka prekur Rohingyat, pakicë myslimane pa shtetësi që ka vuajtur nga masakrat masive të ushtrisë së Birmanisë në vitin 2017, në atë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cilësojnë si gjenocid. Gjatë dy vjetëve të fundit, Rohingyat janë larguar me të madhe nga kampet e refugjatëve të Bangladeshit, ku kishte shpërthyer dhuna nga bandat dhe uria dhe Birmania, ku konflikti i përgjakshëm mes milicisë dhe grupeve rebele është përshkallëzuar. Malajzia me shumicë myslimane është destinacioni i preferuar dhe i sigurt për Rohingyat.
Rezultatet e këtyre largimeve kanë qenë katastrofike. Vitin e kaluar, 4.500 Rohingya – dy e treta gra dhe fëmijë – ishin larguar nga Birmania dhe Bangladeshi me anije, ka raportuar UNHCR-ja. Prej tyre, 569 kishin vdekur ose ishin zhdukur, duke e kaluar Gjirin e Bengalit dhe Detin Andaman, numri më i lartë që nga 2014-a.
Indiferenca ndërkombëtare ndaj Rohingyave, në shumë mënyra, e ka përkeqësuar krizën. Në disa raste, shtetet bregdetare në Azi i kanë injoruar lutjet për shpëtimin e anijeve të Rohingyave, pavarësisht të drejtës ndërkombëtare për t’i shpëtuar anijet në nevojë. Donacionet globale për gati 1 milion Rohingya që qëndrojnë nëpër kampe të mbipopulluara kanë rënë ndjeshëm, duke çuar në uljen e racioneve ushqimore. Asnjë vend nuk është duke u ofruar strehim.
Shumica e Rohingyave e kuptojnë rrezikun e largimit përmes detit. Por shumica prej tyre thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër.
Kështu, N kishte arritur një natë të marsit në një plazh në jug të Bangladeshit, ku kishte hipur në një anije peshkimi që do ta largonte nga gjithçka, duke e përfshirë familjen e saj.
Ashtu si numri në rritje i vajzave të mitura Rohingya, ajo i ishte premtuar si grua një burri në Malajzi, me të cilin kishte folur vetëm me telefon. Këto martesa vinë nga dëshpërimi: Shumë prindër në kampe nuk mund t’i ushqejnë më fëmijët e tyre ose ta përballojë pajën tradicionale të kërkuar nga dhëndurët. Burrat nga Malajzia nuk kërkojnë pajë dhe shpesh u dërgojnë para prindërve të nuses.
Anija e peshkimit e kishte dërguar N dhe pasagjerët e tjerë në një anije më të madhe, që i kishte dërguar në Gjirin e Bengalit. Një ditë më vonë, kishin hipur në një anije akoma më të madhe, me ekuipazh nga Birmania.
Për gati një javë, ata kishin udhëtuar të qetë përmes detit. Ekuipazhi ishte i sjellshëm, duke u siguruar ushqim dhe ujë. Fëmijët kishin hapësirë për të luajtur. Për Rahena Begumin, që udhëtonte me vajzën 9-vjeçare dhe dy djemtë 12 dhe 13-vjeçarë, udhëtimi ishte shumë i qetë.
Derisa nuk ishte më.
Kapiteni u kishte thënë se plani kishte ndryshuar. Ata duhet t’i transferonin të gjithë në një anije indoneziane, me një ekuipazh që do t’i dërgonte në Indonezi. Nga aty ata do të kalonin në Malajzi. Anija indoneziane, sipas Muhammed Aminit, peshkatar, mund të mbante gati 60 njerëz – jo 140.
Me ngurrim, Amini, N, Rahena dhe të tjerët kishin hipur në anije. Gati menjëherë kapiteni i ri e kishte urdhëruar ndarjen e grave dhe burrave. Burrat ishin detyruar të futeshin brenda dhomës së ngushtë të ngarkesave, poshtë dhomës së kapitenit. Ata që kishin protestuar ishin rrahur, ka thënë Amini.
Për gratë dhe vajzat që nuk kuptonin indonezisht, kishin përkthyer burrat. Kur i kishin kuptuar kërkesat e kapitenit, ato kishin filluar të qanin. Burrat që ishin kundër kësaj, ishin rrahur.
Samira, 17-vjeçare, burri i së cilës ishte bllokuar, ishte bërë shënjestër e lehtë. Kapiteni dhe ekuipazhi vazhdimisht e kishin urdhëruar të futej në dhomë. E afërmja e Samirës, Fatima Khatun, i ka thënë ekuipazhit përmes shenjave se ajo ishte e martuar. E pambrojtura N e kishte tërhequr syrin e kapitenit.
E frikësuar nga kërcënimet e ekuipazhit “të armatosur”, ajo nuk kishte zgjidhje tjetër. Kështu që, N dhe tri vajza ishin futur në dhomë. Nata e qetë ishte mbushur me klithmat e tyre.
Brenda në dhomë nuk kishte mëshirë, vetëm dhimbje. Abuzimi nga ekuipazhi kishte vazhduar tërë natën. Përpjekjet për t’u liruar kishin rezultuar në rrahje. Dy nga vajzat tjera ishin adoleshente dhe njëra ishte 20-vjeçare, sipas N. Të gjitha ishin duke qarë.
Nga dhoma poshtë burrat, mund t’i dëgjonin të qarat. Ata që kishin guxuar të hipnin në kuvertë mund ta shihnin abuzimin nga dritaret. Por duke besuar se ekuipazhi ishte i armatosur, ata ishin të pafuqishëm për t’i ndaluar.
Vajzën e identifikuar me shkronjën N e kishte ndihmuar disi një burrë që e kishte njohur, duke e nxjerrë nga dhoma për të shkuar në tualet. Pastaj ajo ishte fshehur në mesin e grave të tjera. Ekuipazhi nuk e kishte përfunduar terrorin. Jannat Ullahu, 29-vjeçar, kishte rrezikuar të hipte në kuvertë për të marrë pak ajër të pastër. Nga dhoma e dritares, ai kishte parë ekuipazhin duke e përdhunuar njërën nga vajzat.
Ekuipazhi nuk u kishte dhënë pasagjerëve ujë dhe vetëm pak porcione me oriz dhe vezë. Pasagjerët nuk ia kishin idenë se sa do të zgjasnin aty.
Fatima Khatuni, që ishte afër dhomës me vajzën e saj, Ruma, kishte parë abuzimin e vajzave dhe nuk mund të duronte më. Ajo i kishte sinjalizuar vajzat të dilnin nga dhoma. Fatima dhe Samira u kishin thënë atyre të mbuloheshin me shami dhe ishin përpjekur t’i fshihnin.
Kapiteni ishte duke kërkuar tashmë viktima të tjera.
Gratë dhe vajzat kishin refuzuar. Ekuipazhi i kishte rrahur, por ato nuk ishin dorëzuar. Sipas pasagjerëve, ekuipazhi kishte pirë alkool dhe kishte konsumuar substanca narkotike.
“Nëse nuk vini në dhomë, do ta përmbys anijen!” kishte ulëritur ai.
‘Nuk dua të vuaj më’
Rreth orës 9 të mbrëmjes, shumë fëmijë tashmë ishin në gjumë. Të ngopur me abuzimet, Amini dhe Jannati kishin hipur në kuvertë. Sipas tyre, kapiteni i pirë e kishte shtyrë timonin e anijes me këmbë. Anija ishte tundur ashpër, ishte goditur nga një valë dhe ishte përmbytur. Njerëzit kishin filluar të klithnin nga frika.
“RUMA!”, kishte bërtitur Fatima, duke e kërkuar vajzën e saj në det, teksa luftonte për jetën e vet kundër detit të inatosur.
Papritmas, pasagjerët që kishin hipur në anijen e përmbytur i kishin shpëtuar jetën. Ajo klithte për vajzën e saj, por ajo ishte zhdukur.
Shumë nga pasagjerët ishin bllokuar poshtë anijes së përmbytur, e cila shpejt ishte kthyer në varrezë. Në mesin e të vdekurve kishte nëna, baballarë, vëllezër, motra dhe një djalë 3-vjeçar me familjen e tij.
N kishte arritur të shpëtonte përsëri.
Rahena Begumi në fund e kishte parë vajzën e saj, e cila u shpëtua nga pasagjerët e gjallë. Djali i saj 13-vjeçar kishte shpëtuar gjithashtu, por Noor Azizin 12-vjeçar ajo nuk e ka parë më që atëherë.
Amini e kishte ditur që anija duhej të rrinte stabile, me shpresën se do të shpëtonin. Burrat kishin qëndruar në qoshet e saj, duke e balancuar peshën.
Kapiteni dhe tre pjesëtarë të ekuipazhit ishin parë të largoheshin. Tre anëtarët e tjerë të ngecur në anije, ishin mbajtur aty nga Amini dhe burrat e tjerë, sepse ata kishin frikë se nëse gjendeshin nga shpëtimtarët do të fajësoheshin për fatkeqësinë.
Ata kishin mbetur atje duke pritur për një mrekulli, teksa valët e detit përkeqësoheshin dhe e bënin anijen jostabile.
Disa nga pasagjerët ishin përpjekur të notonin drejt bregut, duke u premtuar se do të dërgonin ndihmë. Ata ishin zhdukur dhe ndihma nuk kishte ardhur akoma.
Vajza e Rahenas kishte vdekur gjatë pritjes. Pasagjerët ishin lutur për të dhe pastaj ia kishin lëshuar trupin në det. Pas rreth 30 minutash, ka thënë Rahena, anija e shpëtimit kishte mbërritur.
Në ditët pas fatkeqësisë, trupat e 12 grave dhe tre fëmijëve janë gjetur në ujërat e Acehut, sipas UNHCR-së. Kërkimi për të tjerët është ndërprerë.
Zyrtarët kanë gjetur anijen në orën 9 të mëngjesit, më 21 mars, rreth 22 kilometra nga breg dhe i kanë evakuuar të gjithë pasagjerët nga anija.
Ibnu Harris Al Hussain, shefi i Agjencisë së shpëtimit dhe kërkimit “Banda”, ka thënë se operacioni i shpëtimit ka filluar pak pasi është mësuar për anijen e përmbytur.
“Gjëja më e rëndësishme është se i kemi çuar në vend të sigurt kur janë gjetur”, ka thënë Hussaini.
Më 2 prill, policia ka shpallur se i kanë arrestuar katër anëtarë të ekuipazhit. Ata janë dënuar për kontrabandim, me dënim maksimal prej 15 vjetësh. Policia është akoma duke e kërkuar kapitenin, i cili është në Malajzi, sipas aktivitetit të telefonit të tij. Policia nuk është duke i shqyrtuar akuzat për vrasje, sepse ata besojnë që përmbytja ishte aksident.
Por, N dhe pasagjerët e tjerë besojnë se fatkeqësia ishte akt i hakmarrjes nga kapiteni dhe ekuipazhi, të cilët kanë menduar se do të arrinin të arratiseshin.
“Ata na kanë torturuar. Na kanë trajtuar si kafshë”, ka thënë N. “Dua që qeveria t’i trajtojë si kafshë”.
Policia gjithashtu nuk është duke i shqyrtuar akuzat për përdhunime, sepse nuk kanë pasur raporte të tilla. Por N ka thënë se ata nuk e kanë pyetur fare për ngjarjet që kanë ndodhur në bord.
Tani për tani, pasagjerët janë duke fjetur në tenda. Ata janë zhvendosur nëpër strehimore, në mes të thirrjeve nga vendasit për largimin e tyre. Por ata nuk kanë ku të shkojnë dhe pyesin veten se a ja ka vlejtur mundi për të shkuar atje.
Rahena akoma i vajton fëmijët e saj. Burri i saj i ka lënë fajin për vdekjen e fëmijëve.
“Kam humbur shpresën kur humba fëmijët e mi”, ka thënë Rahena. “Ndiej sikur nuk më ka mbetur asgjë”.
N shpreson të arrijë disi në Malajzi te burri që e ka kërkuar për grua. Ndoshta atëherë, ka thënë ajo, do të jetë e lirë më në fund – edhe pse, nuset Rohingya në Malajzi shpesh bëhen të burgosura të burrave abuzues.
Për tani, çka mund të bëjë ajo është të luftojë për të mbijetuar dhe të lutet për një të ardhme të lirë nga dhimbja.
“Nuk dua të vuaj më”, ka thënë ajo.