Përkundër moshës, zëri i të mbijetuarve të Aushvicit mbetet i fuqishëm.
Leon Weintraub 99-vjeçar, më i moshuari nga katër të mbijetuar që folën pranë Portës së Vdekjes famëkeqe në kampin e shfarosjes Aushvic-Birkenau, ka treguar për tmerret e përjetuara.
Udhëheqësit botërorë dhe anëtarët e familjeve mbretërore evropiane dëgjuan rrëfimet e 56 personave që i mbijetuan gjenocidit të Adolf Hitlerit ndaj hebrenjve evropianë. Të hënën u shënua 80-vjetori i çlirimit të kampit të Aushvicit.
“Ne ishim viktima në një vakum moral”, tha Tova Friedman, e cila përshkroi se kishte përjetuar tmerret e gjenocidit nazist si një vajzë pesë vjeç e gjysmë, raporton "BBC".
Paralajmërimet nga historia ishin të qarta: të mbijetuarit më shumë se kushdo tjetër kuptonin rreziqet e mostolerancës dhe rritjes së antisemitizmit.
Nazistët vranë 1.1 milion persona në kampin e përqendrimit Aushvic-Birkenau nga viti 1941 deri në vitin 1945. Ky kamp njihet ndryshe si “kampi i vdekjes”.
Gati një milion ishin hebrenj, 70 mijë ishin të burgosur polakë, rreth 21 mijë ishin romë, afro 15 mijë ishin sovjetikë që ishin të burgosur lufte dhe po ashtu, kishte një numër të burrave homoseksualë të ekzekutuar.
Ishte një nga gjashtë kampet e vdekjes që ishin ndërtuar në Poloninë e pushtuar nga nazistët dhe ishte dukshëm më i madhi.
Drejtori i Muzeut të Aushvicit, Piotr Cywinski, bëri një lutje për ta ruajtur kujtimin e asaj që kishte ndodhur.
“Kujtesa dhemb, kujtesa ndihmon dhe ajo edhe drejton...pa kujtesë nuk ke histori, nuk ke përvojë, nuk ke pikë referimi”, tha ai, ndërsa të mbijetuarit dëgjuan. Shumë prej tyre mbajtën shalle me vija blu dhe të bardha për të simbolizuar veshjen e të burgosurve të dikurshëm në këtë kamp.
Kujtesa ishte kryefjala të hënën, ndërsa bota shënoi Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Presidenti polak Andrzej Duda u zotua se Polonisë mund t’i besohet ruajtja e kujtimit të gjashtë kampeve të vdekjes që ishin ndërtuar territorin e saj, në Treblinka, Sobibor, Belzec, Majdanek dhe Chelmno.
“Ne jemi gardianët e kujtesës”, tha ai, pasi vendosi një kurorë në murin ku u ekzekutuan mijëra të burgosur në Aushvic 1, kampin e koncentrimit 3 kilometra larg Birkenaut.
Nga selia e Kombeve të Bashkuara në New York, sekretari i përgjithshëm Antonio Guterres tha se “kujtimi nuk është vetëm akt moral, është edhe thirrje për veprim”. Ai paralajmëroi se mohimi i Holokaustit po përhapet dhe urrejtja po rritet nëpër botë.
Ai përmendi të mbijetuarin italian Primo Levi, që shkroi kujtimet e tij nga kampi për pasardhësit e tij, por nuk ishte në gjendje t’i duronte plagët të asaj që kishte parë. Sipas fjalëve të të mbijetuarit tjetër Elie Wiesel, Levi “vdiq në Aushvic 40 vjet më vonë”.