Botë

Të gjithë shpallin fitoren në zgjedhjet në Gjeorgji

Gjeorgjia

Gjeorgjia për dekada me radhë ka qenë një prej shteteve më properëndimore të dala nga Bashkimi Sovjetik, por që nga lufta e Rusisë në Ukrainë, partia “Ëndrra gjeorgjiane” e ka orientuar shtetin kah orbita ruse

Në Gjeorgji, partia autoritare që qeveris vendin, është rrugës për të fituar edhe një palë zgjedhje, sipas disa exit-polleve, në garën vendimtare që lidhet me të ardhmen e vendit nëse ish-republika sovjetike do të vazhdojë rrugën drejt Perëndimit apo do të anojë nga Rusia. Gjithsesi rezultatet e exit-polleve nuk përshtaten njëri me tjetrin në atë se kush mund ta formojë shumicën. 

Sikur partia “Ëndrra Gjeorgjiane” e miliarderit Bidzina Ivanishvili dhe partitë opozitare që po përpiqen t’i japin fund pushtetit të tij 12-vjeçar, kanë shpallur fitoren.

Shifrat deri të shtunën në mbrëmje ishin ende larg pasqyrimit të rezultateve finale.

Me të përfunduar votimet, një exit-poll nga kanalet pro-opozitare i dha partisë në pushtet vetëm 40.9 për qind të votave, ndërsa kombinimin e katër grupeve opozitare e vlerësoi me 51.9 për qind. Por një tjetër exit-poll i televizionit pro-pushtet “Imedi”, fitoren e ka siguruar “Ëndrra Gjeorgjiane”, që ka marrë 56% të votave.

Në sistemin e Gjeorgjisë, fiton ai që siguron të paktën gjysmën e 150 ulëseve të Parlamentit. 

Bidzina Ivanishvili, themeluesi miliarder i partisë në pushtet, tashmë ka shpallur fitoren.

“Është rast i rrallë në botë që e njëjta parti të arrijë një sukses të tillë në një situatë kaq të vështirë - ky është një tregues i mirë i popullit gjeorgjian”, u shpreh ai vetëm pak minuta pas mbylljes së qendrave të votimit. “Ju siguroj se vendi ynë do të arrijë sukses të madh në katër vitet e ardhshme”, ka thënë më tej Ivanishvili.

Vëzhguesit e pavarur si dhe presidentja e Gjeorgjisë Salome Zourabichvili – një aleate e dikurshme e partisë në pushtet, tashmë e shndërruar në një nga kritiket më të ashpra të saj, kanë akuzuar “Ëndrrën Gjeorgjiane” për blerje masive të votave si dhe forma të tjera të abuzimit me zgjedhjet.

“Ëndrra Gjeorgjiane” nuk i është përgjigjur kërkesave për koment lidhur me akuzat.

Opozita po ashtu ka thënë se është në rrugën e duhur për të fituar shumicën.

“Gjeorgjia evropiane po fiton me 52% të votave pavarësisht përpjekjeve për të manipuluar zgjedhjet dhe pa votat e diasporës”, ka shkruar Zourabichvili në rrjetin social X.

Gjatë ditës mediat lokale raportuan për disa raste të dhunës fizike para qendrave të votimeve, si dhe për instanca të mbushjes së kutive të votimit në qytetin jugor, Marneuli. Aktivistë opozitarë thonë se blloku i përbashkët është i vetmi aleat i afërt me Perëndimin dhe me qëndrimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që mund ta mbrojë Gjeorgjinë nga Rusia. 

Gjeorgjia për dekada me radhë ka qenë një prej shteteve më properëndimore të dala nga Bashkimi Sovjetik, por që nga lufta e Rusisë në Ukrainë, partia “Ëndrra gjeorgjiane” e ka orientuar shtetin kah orbita ruse.