Botë

Të djathtës ekstreme në Austri s’i jepet rasti ta formojë qeverinë, ndonëse i fitoi zgjedhjet

Karl Nehammer - kancelari austriak

Presidenti i Austrisë, Alex Van der Bellen, i ka kërkuar liderit të Partisë Popullore konservatore (OVP) dhe kancelarit aktual Karl Nehammer që ta formojë një qeveri koalicioni – përkundër faktit se Partia e Lirisë e të djathtës ekstreme fitoi zgjedhjet e përgjithshme muajin e kaluar, raporton  “BBC”. 

Partia e Lirisë, që është anti-imigracion dhe miqësore me Rusinë, doli fituese e zgjedhjeve të shtatorit me pothuajse 29 për qind të votave, dhe lideri i saj Herbert Kickl, tha se ai duhet ta drejtojë qeverinë e ardhshme. 

Por, të gjitha partitë tjera përjashtuan mundësinë e formimit të një koalicioni qeverisës me të. 

Pas bisedimeve me tri partitë më të mëdha, presidenti austriak Alexander Van der Bellen tha se ishte e qartë se Kickl “nuk do të jetë në gjendje të gjejë një partner koalicioni për ta bërë atë kancelar”.

“Zgjedhjet parlamentare të 29 shtatorit nuk janë garë në të cilën partia që hyn e para në vijën e finishit automatikisht formon qeverinë. Nëse një parti dëshiron të qeverisë e vetme, duhet ta kalojë pragun prej 50 për qind. Nuk mjafton të arrish 10, 20 apo 30 për qind”, tha presidenti i Austrisë në një fjalim televiziv. 

Van der Bellen tha se i ka kërkuar kancelarit aktual, Karl Nehammer, partia konservatore e të cilit doli e dyta me 26.3 për qind të votave, që të zhvillojë bisedime për koalicion me Social Demokratët, të cilët dolën të tretët, me 21 për qind. 

Megjithatë, një koalicion midis konservatorëve dhe socialdemokratëve do të kishte një shumicë vetëm prej një ulëseje. 

Në një komunikatë për media, Nehammer tha se për ta siguruar një shumë e qëndrueshme parlamentare do të duhet një partner i tretë. 

Kjo palë e tretë mund të jetë të Gjelbërit apo liberalët Neos. 

Nehammer tha se ai nuk mund të thoshte “nëse këto bisedime mund të çojnë në të vërtetë në formimin e një qeverie”. 

“Ajo që unë mund t’ju premtoj, megjithatë, është se do të veproj në frymën e stabilitetit, besueshmërisë dhe përgjegjësisë për vendin tonë”, tha Nehammer. 

E në një postim në Facebook, Herbert Kickl, tha se presidenti ka thyer “proceset normale e të provuara” të Republikës së Austrisë, duke mos i besuar detyrën e formimit të një qeverie fituesit të zgjedhjeve. 

“Kjo mund të duket si një shuplakë për shumë prej jush. Por, unë ju premtoj: fjala e fundit nuk është thënë. Sot nuk është fundi i historisë”, shkroi Kickl.