Botë

Të bllokuar në terr për 35 orë

Anija në Detin e Kuq

“Kur ishim në ujë, valët nuk ishin aq të mëdha sa nuk mund të notonim në to”, thotë Sarah.  “Kështu që, e pyesim veten pse u përmbys ajo anije”.

“Në fund, e pyeta veten se si do të preferoja të vdisja”.

Kalimi i 35 orëve të bllokuara në një cep të anijes kur ajo ishte përmbysur, ka bërë që Lucianna Galleta ta humbë zërin e megjithatë, ajo vazhdon ta rrëfejë sprovën e saj.

Një video, që ajo arriti ta filmonte shkurtimisht duke përdorur dritën e telefonit e të cilën ia tregoi BBC-së, shfaq hapësirën ku ajo mendonte se jeta e saj mund të përfundonte dhe se si uji i detit dhe mbeturinat që lundronin e penguan largimin nga aty.

Lucianna ishte nga të fundit prej 35 të mbijetuarve që u nxor nga mbetjet e “Sea Storyt”, një anije egjiptiane që u përmbys në Detin e Kuq më 25 nëntor të vitit të kaluar. Të paktën 11 persona vdiqën ose rezultojnë ende të zhdukur, duke përfshirë dy britanikë, Jenny Cawson dhe Tarig Sinada.

Në atë kohë, autoritetet egjiptiane ia atribuuan aksidentin një vale të madhe deri në 4 metra, por BBC ka folur me 11 të mbijetuar të cilët kanë hedhur dyshime mbi këtë pretendim. Kjo është mbështetur edhe  nga një oqeanograf kryesor, i cili tha se të dhënat e motit nga koha sugjerojnë se një valë nuk mund të ishte përgjegjëse dhe se një kombinim i gabimeve të ekuipazhit dhe dështimeve në anije ishin shkaku i mundshëm.

Përveç përshkrimit të tmerrit të bllokimit në një anije që u fundos me shpejtësi, të mbijetuarit akuzojnë kompaninë që e drejtonte atë, Dive Pro Liveaboard, për disa dështime në siguri. Ata thonë gjithashtu se autoritetet egjiptiane ishin të ngadalta për të reaguar, diçka që mund t’u ketë kushtuar me jetë udhëtarëve. “BBC” i ka bërë pyetje Dive Pro Liveaboardit - me qendër në Hurghada - dhe Qeverisë egjiptiane, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Rrëfimi i të mbijetuarve

Kjo është historia e parë e “Sea Storyt” që rrëfehet nga ata që dolën gjallë nga aty.

Anija luksoze u nis nga porti Ghaleb në bregun e Detit të Kuq të Egjiptit më 24 nëntor. Në bord ishin 31 pasagjerë ndërkombëtarë - kryesisht zhytës me përvojë - dhe tre udhërrëfyes zhytjeje, së bashku me 12 anëtarë ekuipazhi egjiptian. Ata ishin në një udhëtim gjashtëditor, ku destinacioni i tyre i parë ishte Sataya Reef, një vend i njohur zhytjeje.

Ashtu si shumë prej atyre në bord, përshtypjet e para të Luciannas për anijen “Sea Story” ishin pozitive.

“Dukej si një anije vërtet e bukur, shumë e madhe, shumë e pastër”, thotë ajo duke folur nga shtëpia e saj në Belgjikë.

Kompania kishte transferuar Luciannan dhe të tjerët në minutën e fundit nga një anije tjetër, e cila kishte qindra komente të mira në internet. Disa të ftuarve iu tha se po merrnin një anije më të mirë, por disa ishin të zemëruar,  sepse anija nuk po shkonte në destinacionin që kishin rezervuar.

Kushtet atë natë ishin mjaft të vështira, megjithëse të mbijetuarit me të cilët BBC foli, duke përfshirë marinarë me përvojë, thonë se anija dukej më e paqëndrueshme nga sa mendonin.

“Duke parë valët, moti nuk ishte i tmerrshëm”, thotë Sarah Martin,  mjeke e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS) nga Lancaster që ishte në udhëtim. Por, thotë ajo, “mobiliet po rrëshqisnin rreth kuvertës - ne pyetëm ekuipazhin nëse ishte normale dhe ata thjesht ngritën supet, kështu që ne nuk e kuptuam rrezikun në të cilin ndodheshim”,

“Nuk fjeta atë natë, sepse anija kishte shumë lëkundje”,  thotë Hissora Gonzalez, zhytëse nga Spanja, kabina e së cilës ishte në kuvertën e poshtme.

Ajo përshkruan se si anija u rrotullua ashpërsisht disa herë derisa, pak para orës 03:00,  kur u përmbyt ndërsa kishte zhurmë të fortë. Heshtja mbizotëronte, motorët u ndalën e anija mbeti në terr.

Shumë shpejt u dëgjuan të bërtitura nga kabinat e tjera, ndërsa njerëzit u hodhën nga shtretërit e tyre.  Gjërat ishin shpërndarë përreth, duke bllokuar daljet dhe duke e vështirësuar largimin. Një i mbijetuar - i cili kishte fjetur jashtë në kuvertë - përshkroi sesi  ishte bllokuar nën mobile të rënda të cilat ishin rrëzuar teksa anija u përmbyt.

“Nuk mund të shihnim asgjë. Nuk e dija nëse po ecja në dysheme, në tavan, apo anash”, thotë Hissora.

E çorientuar, ajo filloi të kërkonte përreth për jelek shpëtimi. Përpara se të gjente një të tillë, shoku i saj Cristhian Cercos i bërtiti që të vraponte. Ajo thirrje mund t’ia ketë shpëtuar jetën.

“E ndieja ujin që hynte brenda, por nuk mund ta shihja”, thotë Hissora. Dera e kabinës së tyre tani ishte lart - ajo shpëtoi vetëm, sepse Cristhian e tërhoqi atë në përpjekjen e pestë me radhë.

Përtej vendit ku po qëndronte Hissora, gjithashtu në errësirë të plotë, ishin Sarah dhe shoqja e saj, Natalia Sanchez Fuster, një udhërrëfyese. Ato nuk mund të gjenin dorezën e derës së kabinës. Kur Sarah arriti të ndizte dritën në telefonin e saj, ajo kuptoi se “gjithçka ishte kthyer në 90 gradë - dera ishte krejt poshtë dhe të gjitha gjërat tona po e bllokonin atë”.

Pasi pastruan portën, ato u bashkuan me rreth 10 të tjerë duke shkuar te një dalje emergjente.

Me anijen e përmbysur, grupit iu desh të zvarritej përgjatë shkallëve të urgjencës për dy kate, duke kaluar restorantin dhe dhomën e ngrënies në kuvertën kryesore. Ishte e vështirë për të gjetur rrugën e tyre me dollapë të shumtë para.

“Ishte mjaft çorientuese në errësirë dhe ishte shumë e rrëshqitshme. Kudo kishte vaj gatimi dhe vezë të thyera”, thotë Sarah.

“Askush nuk u përpoq të shihte nëse kishte të mbijetuar”

Hissora, pak përpara Sarës, arriti në pjesën e sipërme. Ajo mund të dëgjonte njerëzit që bërtisnin pas saj, por nuk u kthye.

“Kisha frikë të shikoja prapa dhe të shihja të gjithë ujin që hynte”,  thotë ajo.

Në ato momente “Sea Story” po fundosej me shpejtësi. Ata që kishin arritur në pjesën e sipërme e dinin se do t'u duhej të hidheshin në ujë - një pikë 2-3 metra thellë.

“Isha e paralizuar, sepse Cristhian vazhdonte të më thoshte ‘mos kërce’. Ai mund të shihte se dikush po përpiqej të lëshonte gomonen e shpëtimit”, kujton Hissora.

Sarah ishte pas Hissorës dhe e dëshpëruar për të dalë.

“Kishte njerëz të tjerë që bllokonin daljen”,  kujton ajo. “Ne po u bërtisnim atyre që të largoheshin nga rruga”.

Tek  uji brenda futej me shpejtësi të madhe Hissora, Sarah dhe dhjetëra njerëz që kishin arritur në pjesën e sipërme u hodhën në ujë. Ata e dinin se rreziku nuk kishte kaluar ende.

“Nëse anija po fundosej, ne duhej të largoheshim që të mos na tërhiqte poshtë me të”,  thotë Sarah.

Natalia, e cila gjithashtu kërceu, notoi rreth anijes. Ajo dëgjoi njerëzit që bërtisnin nga brenda kabinave dhe u përpoq të përdorte mbeturinat që lundronin për t’i thyer dritaret, por nuk ia doli.

Sarah dhe Natalia ishin ndër të paktat që kishin rrëmbyer një jelek shpëtimi përpara se të largoheshin. Por Sarah thotë se nuk po funksiononin siç duhej. 

Është vetëm një nga disa dështime sigurie të raportuara nga njerëzit që “BBC” intervistoi.

Në total, “BBC” ka folur me shtatë nga të mbijetuarit që kishin qëndruar në pjesën e poshtme. Ata të gjithë tregojnë një histori pothuajse identike të momentit kur anija kaloi - por jo të gjithë shpëtuan në të njëjtën mënyrë.

Lucianna Galetta ishte në një kabinë në pjesën e poshtme të anijes me partnerin e saj Christophe Lemmens. Ata ishin vetëm dhe më të ngadaltë për ta kuptuar se në ç’rrezik ndodheshin. Kjo vonesë u kushtoi shtrenjtë.

“Filluam të ngriheshim dhe u përpoqëm të gjenim jelekët e shpëtimit”,  thotë Lucianna. “Hapëm derën, por tashmë kishte ujë në korridor. Mendoj se na kapi paniku kur dolëm prej kabinës dhe për pak u mbytëm”.

Në pamundësi për të arritur daljen në pjesën e përparme, Lucianna dhe Christophe përfunduan në pjesën e pasme të anijes, e cila ende nuk ishte mbushur me ujë.  Ata nuk e kuptuan se cila pjesë e anijes ishte ajo hapësirë e vogël, derisa iu bashkua, Youssef al-Faramaëy, një nga instruktorët e zhytjes.

Që të tre do të qëndronin aty, të ulur mbi depozita karburanti, për rreth 35 orë.

Jashtë varkës, Sarah, Hissora dhe të tjerët që kishin kërcyer përfundimisht gjetën dy gomone të shpëtimit. Ndërsa hipën në bord, ata panë kapitenin e anijes dhe një numër anëtarësh të tjerë të ekuipazhit që tashmë ishin aty.

“Gjetëm një pishtar, por përsëri nuk kishte bateri. Nuk kishim ujë apo ushqim”,  thotë Sarah. “Kishte fishekzjarrë, por ato tashmë ishin përdorur”.

Sarah thotë gjithashtu për tre batanijet në bordin e gomones, njërën e kishte marrë kapiteni për vete, duke e lënë një për pjesën tjetër të ekuipazhit dhe një tjetër për pasagjerët. “U grumbulluam së bashku”,  thotë Sarah.

Gomonet u gjetën nga anijet e shpëtimit rreth orës 11:00 të mëngjesit të 25 nëntorit, rreth tetë orë pas përmbysjes.

E në bordin e “Sea Story”, Lucianna dëgjoi helikopterin e shpëtimit - por sprova e saj nuk kishte përfunduar.

“Në këtë kohë ishim shumë të lumtur, por na u desh të prisnim edhe 27 orë të tjera”,  thotë ajo.

Pavarësisht se varka ishte gjetur, përpjekjet e shpëtimit ishin të ngadalta për t'i arritur ata.

“Ne nuk kishim komunikim me jashtë, asgjë. Askush nuk u përpoq të shihte nëse kishte njeri të gjallë atje”,  thotë Lucianna.

Pas disa orësh të bllokuar në pjesën e pasme të varkës, instruktori i zhytjes, Youssef, donte të provonte të notonte, por Lucianna dhe Christophe e bindën atë të mos e bënte këtë.

“Qëndro me ne sepse do të vijnë të marrin trupat e kështu do të na gjejnë”,  i kishte thënë Lucianna.

Përfundimisht, pas gati një ditë e gjysmë të ngujuar aty, një dritë u shfaq në terr.

Një instruktor lokal egjiptian zhytjeje, Khattab al-Faramaëi, i cili ishte xhaxhai i Youssefit, kishte arritur te ta, duke u zhytur nëpër korridore në kërkim të njerëzve. Ai e nxori Youssefin fillimisht dhe më pas, pas një ore tjetër vonesë për shkak të problemeve me bombolën e oksigjenit, u kthye për ta çuar Luciannan dhe partnerin e saj drejt një vendi të sigurt.

“E përqafova aq fort”, thotë Lucianna. “Isha shumë, shumë e lumtur”.

Në total, pesë persona nga “Sea Story” u shpëtuan nga zhytësit, duke përfshirë një zviceran dhe një finlandez që kishin mbijetuar në një tjetër hapësirë të pasme të anijes. Më vonë u gjetën edhe katër trupa.

Kritikat drejtuar autoriteteve egjiptiane

Por Lucianna kritikon faktin që marina egjiptiane duhej të mbështetej te vullnetarët. “Ne pritëm 35 orë. Nuk e kuptoj se si nuk ka zhytës në anijet ushtarake egjiptiane”.

Lucianna, Christophe dhe Youssef u morën në bordin e një anijeje detare në pritje, përpara se të ktheheshin në breg. Ata ishin të fundit që u shpëtuan. Të paktën 11 persona kanë vdekur ose rezultojnë të zhdukur.

Midis tyre janë Jenny Cawson dhe Tarig Sinada,  çift nga Devoni i Britanisë që po qëndronin në kuvertën kryesore, në anën e varkës që goditi valën. Trupat e tyre nuk janë gjetur kurrë.

“Nuk duket sikur është e vërtetë”, thotë Andy Williamson, mik i çiftit. “Ne vazhdojmë të presim që ata të vijnë”.

Një muaj e gjysmë pas fundosjes, shpresat për një gjë të tillë janë shuar.

Çifti ishin zhytës me përvojë, të cilët gjithmonë hulumtonin me kujdes të dhënat e sigurisë së anijeve përpara udhëtimeve të tyre. Ata gjithashtu u transferuan në anijen “Sea Story” në momentet e fundit, diçka që në fund mund t'u ketë kushtuar shtrenjtë.

BBC foli me të mbijetuarit nga pothuajse çdo kabinë e anijes në të cilën dikush doli i gjallë. Ata të gjithë konfirmojnë se anija u përmbys midis orës 02:00 dhe 03:00. Megjithatë, sipas autoriteteve lokale, një sinjal se diçka nuk po shkonte nuk u mor deri rreth orës 05:30 - një faktor tjetër që mund të ketë kushtuar me jetë njerëzish.

Ngjarja siç u interpretua nga zyrtarët egjiptianë menjëherë pas kësaj tragjedie ishte se një valë e madhe goditi varkën. Përvojat e shumta të të mbijetuarve në ujë, vetëm pak minuta pas përmbytjes, hedhin  dyshime mbi këtë.

“Kur ishim në ujë, valët nuk ishin aq të mëdha sa nuk mund të notonim në to”, thotë Sarah. “Kështu që , e pyesim veten pse u përmbyt anija”.

Këto dyshime mbështeten nga të dhënat.

Simon Boxall është një oqeanograf kryesor nga Universiteti i Southamptonit. Ai ka analizuar motin nga ajo ditë që tregon se valët më të mëdha ishin rreth 1.5 metra,  kështu që ai thotë se “nuk ka mundësi që një valë 4 metra  të ketë ndodhur në atë rajon, në atë kohë”.

Autoriteti Meteorologjik Egjiptian kishte paralajmëruar për valë të larta në Detin e Kuq dhe këshilloi kundër aktivitetit detar më 24 dhe 25 nëntor. Por, sipas Boxall, këto paralajmërime vlenin për  rreth 200 kilometra larg në veri të vendit ku anija u përmbyt.

Ai thotë se lë vetëm dy opsione, ose gabim nga kapiteni ose një gabim në projektimin e anijes - ose një kombinim i të dyjave.

Bordi i Hetimit të Aksidenteve Detare në Mbretërinë e Bashkuar (MAIB) ka paralajmëruar zhytësit për çështjet e sigurisë në Detin e Kuq, pas një numri në rritje të incidenteve. Të paktën dy prej rasteve përfshinin të njëjtën kompani, Dive Pro Liveaboard.

BBC i dërgoi të gjitha shqetësimet e sigurisë të ngritura në këtë artikull te Qeveria egjiptiane dhe kompania, Dive Pro Liveaboard, shumë herë. Ende s’ka marrë përgjigje.

Pas rastit, autoritetet egjiptiane hapën menjëherë një hetim për fundosjen. Kjo ende nuk raportohet, por për miqtë e Jennyt dhe Tarigut bëhet fjalë për më shumë se sa një anije.

“Fatkeqësisht na është dashur të mësojmë për rreziqet e zhytjes në Egjipt në rrethanat më tragjike”, thotë Andy Williamson. “Nuk e di se si do ta kalojmë ndonjëherë këtë”.

Lucianna dëshiron të kuptojë saktësisht se çfarë shkoi keq.

“Jemi me fat që jemi gjallë”,  thotë ajo. “Por ka kaq shumë njerëz që nuk u kthyen nga ky rast dhe unë dua që familjet e tyre të jenë në gjendje të dinë për familjarët e tyre e të mbajnë zi”.