Shtetet perëndimore kanë forcuar ushtrinë e Ukrainës pothuajse në çdo kategori përveç njërës, për të cilën Kievi thotë se ka më së shumti nevojë.
Kanadaja pritet të dërgojë më shumë se 200 automjete për bartjen e ushtrisë. Britania do të dhurojë 600 raketa. Suedia i ka ofruar sistemet e artilerisë dhe automjetet e blinduara. Ky është angazhim i madh për sigurinë që prej fillimit të luftës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar të enjten se do të dërgojnë 100 automjete shtesë për t’i ndihmuar Ukrainës që ta parandalojë avancimin e rusëve.
Mirëpo deri më tani ato që po mungojnë në pakot e ndihmave ushtarake dhe që pritet të konfirmohet edhe nga shtetet e NATO-së në Bazën Ajrore Ramstein – janë tanket amerikane dhe gjermane që liderët e Ukrainës po i kërkojnë me ngulm – çështje e cila pritet të jetë në qendër të bisedimeve të reja.
Debati se cili prej shteteve do të lejojë tanket e veta në vijat e frontit në Ukrainë është duke u zhvilluar prej kohësh. Mirëpo pasi zyrtarët britanikë dhanë fjalën se do të dërgojnë tanket Challenger 2 në Ukrainë, presioni është shtuar për Berlinin dhe Washingtonin që ta përcjellin Britaninë.
Ben Barry, ekspert i luftimeve tokësore në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër, ka thënë se fushata e presionit nga Ukraina dhe fqinjët e saj kthen vëmendjen te mësimi nga Lufta e Dytë Botërore, kur SHBA-ja furnizoi ushtrinë britanike me tanket Sherman për t’i mposhtur forcat armike në Evropë dhe në Afrikën e Veriut.
Tani, Barry ka thënë se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është duke bërë të njëjtën lutje.
“Mesazhi është i njëjtë: ‘Më jepni mjetet dhe ne do ta kryejmë punën’”, ka thënë Barry.
Rëndësia e tankeve
Pas betejave për kontrollin e territoreve gjatë vitit të kaluar, zyrtarët kanë thënë se është e qartë se tanket do të jenë vendimtare për zmbrapsjen e rusëve. Kjo do të ketë rëndësi të madhe këtë dimër, për shkak të mundësisë së kufizuar të Ukrainës për të avancuar para se Rusia të angazhojë mijëra ushtarë të tjerë për ofensivën e pranverës.
Komandanti më me përvojë i Ukrainës, gjenerali Valery Zaluzhny, ka thënë se forcat e tij kanë nevojë për 300 tanke perëndimore që të bëjnë dallimin në betejat për qytetet e kontestuara në provincat lindore në kufi me Rusinë.
Gjatë vitit të kaluar, aleatët e NATO-s në Evropën Lindore furnizuan Ukrainën me tanke të epokës sovjetike dhe të prodhimit rus, të cilat janë shkatërruar në luftime të vazhdueshme. Sigurimi i tankeve të sofistikuara - një nga simbolet më të fuqishme të luftës - u pa për një kohë të gjatë si vijë e kuqe nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj më të afërt evropianë, të cilët kishin frikë nga hakmarrja ruse.
Mirëpo debati u zhvendos këtë muaj, me Francën, Gjermaninë dhe Shtetet e Bashkuara që njoftuan planet për të dërguar, për herë të parë, automjete të blinduara luftarake në Ukrainë për të ndihmuar në luftën tokësore. Ditë më vonë, Britania ka deklaruar se do të dërgonte tanket luftarake Challenger 2 në Ukrainë, disa prej të cilave do të arrinin brenda disa javësh.
Kjo nxiti presionin ndaj aleatëve të tjerë - përkatësisht Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara - për t’iu bashkuar Britanisë në furnizim me tnake.
Refuzimi i Gjermanisë
Gjermania për kohë të gjatë ka refuzuar të dërgojë armët më të fuqishme në shtetet në konflikt, produkt i trashëgimisë së saj që nisi Luftën e Dytë Botërore. Kjo ka përfshirë edhe ndalimin e eksportit të tankeve Leopard 2 në Ukrainë – ani pse këto u janë shitur ushtrive tjera.
Ky refuzim gjithashtu reflekton ndasitë e thella mes gjermanëve – ashtu siç kanë treguar sondazhet – në lidhje me dërgimin e tankeve të luftës në Ukrainë, ani pse ka përkrahur ish-shtetin sovjetik me armë të tjera.
Kancelari Olaf Scholz vazhdimisht ka thënë se “nuk do të shkojë i vetëm” kur bëhet fjalë për dërgimin e armëve në Ukrainë dhe se do të vepronte së bashku me aleatët.
Në praktikë, kjo do të thotë fiks se ai nuk do të veprojë pa Uashingtonin. Këtë javë, zyrtarët gjermanë kanë thënë se Scholz ka këmbëngulur se Berlini nuk do të dërgojë asnjë nga tanket e tij Leopard nëse amerikanët nuk dërgojnë gjithashtu tanket e tyre M1 Abrams.
Ajo që nuk është ende e qartë është nëse Scholzi do të lejonte shtetet tjera të dërgonin Leopardët e tyre pa dërguar asnjë. Polonia dhe Finlanda kanë thënë tashmë se do t'i dhuronin tanket nga rezervat e tyre nëse Berlini ofron licenca për t'i rieksportuar ato.
Ekspertët besojnë se janë rreth 2000 tanke “Leopard 2” të prodhimit gjerman në përdorim nga të paktën 13 ushtri evropiane.
Një ligjvënës gjerman i njohur me debatin e shpërndarjes së armëve ka thënë se, deri më tani, asnjë shtet evropian nuk i ka kërkuar zyrtarisht Berlinit që të lejojë që tanket e tyre Leopard të dërgohen në Ukrainë. Ligjvënësi gjerman i përshkroi gjithashtu aleatët si hezitues për të dërguar tanke nëse Berlini nuk do t'u bashkohej atyre në shfaqjen unitetit kundër Rusisë.
Johann Wadephul, nënkryetari i kristiandemokratëve, partia më e madhe opozitare e Gjermanisë, ka thënë se rezistenca e Scholzit ndaj dërgimit të Leopardëve minoi argumentin e tij për të kërkuar solidaritet. “Refuzimi i kancelarit dhe mosdorëzimi i Gjermanisë, në fakt po ecin vetëm”, ka thënë ai në Bundestag të enjten.
Deputetja Marie-Agnes Strack-Zimmerman, drejtuese e Komitetit të Mbrojtjes ka thënë se Scholzi ka të ngjarë të ketë ofruar të paktën disa Leopardë në bisedat me Washingtonin këtë javë.
“Unë mendoj se ai është gati të miratojë eksportin e tankeve dhe të vërë vetë Leopardët në dispozicion - por ai dëshiron që amerikanët të ofrojnë edhe tanket e tyre kryesore të betejës”, ka thënë Strack-Zimmerman.
Ajo ka thënë se kancelari e kishte gabim kur këmbëngulte për dërgesat e tankeve amerikane. “Ka mjaft tanke në Evropë dhe lufta është në pragun tonë”, ka thënë Strack-Zimmerman.
Tanket amerikane për Ukrainën
Kjo nuk pritet të ndodhë në të ardhmen e afërt, kanë thënë dy zyrtarë amerikanë të mbrojtjes.
Të enjten, zyrtarët amerikanë kanë thënë se do të dërgonin rreth 100 automjete shtesë luftarake – të njohura si Strykers dhe Bradleys – në Ukrainë. Kjo është në krye të 50 automjeteve luftarake Bradley që Shtetet e Bashkuara premtuan në fillim të këtij muaji.
Një zyrtar i lartë i administratës së Bidenit ka thënë se automjetet e reja nuk kishin për qëllim të qetësonin kërkesat e Ukrainës për tanke, por përkundrazi, të siguronin pajisje të tjera që do të ishin të dobishme në fushën e betejës.
Administrata e Bidenit ka pohuar prej kohësh se tanket M1 Abrams të prodhimit amerikan – me nevojat e tyre për karburant specifik, mirëmbajtje të shpeshtë dhe pjesë këmbimi, transport dhe trajnim – janë të papërshtatshme për të luftuar në Ukrainën lindore, ku linjat e furnizimit mund të ndërpriten lehtësisht.
Zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh, ka thënë para gazetarëve të enjten se “thjesht nuk ka kuptim” t'i sigurohen Ukrainës tanket Abrams “në këtë moment”, sepse ato përdorin karburant avioni dhe janë të vështira për t'u mirëmbajtur. Ajo ka thënë se gjermanët duhet të vendosin vetë për tanket “Leopard 2”.
Më gjerësisht, zyrtarët janë të shqetësuar se tanket amerikane do të shihen si shenjë e përshkallëzimit nga SHBA-ja – hap i rrezikshëm për superfuqinë botërore që po bën përpjekje për të shmangur konfliktin më të gjerë. Mirëpo Max Bergmann, ish-diplomat amerikan dhe ekspert i sigurisë evropiane dhe ruse, ka thënë se Wahsingtoni ka kaluar këtë vijë të kuqe me dërgimin e raketave me saktësi të lartë dhe armatime tjera të avancuara.
“Kjo është një lloj bretkose që zien”, ka thënë Bergmann të enjten. “Ata tashmë janë të përfshirë - ata kanë ngritur shkallët e çatisë”.
Zyrtarët amerikanë gjithashtu këmbëngulin se nuk i kanë bërë presion Gjermanisë që të lejojë tanket Leopard të shkojnë në Ukrainë dhe të enjten, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd J. Austin III vlerësoi qeverinë në Berlin si “mbrojtëse e vendosur e aleatëve dhe vlerave tona”.
Komentet e tij, në Berlin, erdhën përpara takimit të së premtes së shteteve që po dërgojnë armë dhe mbështetje tjetër ushtarake në Ukrainë. Me ministrin e ri të mbrojtjes të Gjermanisë, Boris Pistorius, në krah të tij, Austin nuk dha asnjë aluzion nëse Gjermania do të lejonte përfundimisht tanket të ecnin përpara - ose nëse debati do të vazhdonte të ngecë.
“Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim Ukrainën dhe popullin e saj, ndërsa ata i rezistojnë agresionit rus dhe mbrojnë territorin e tyre sovran”, ka thënë Austin.
Përktheu: Gent Mehmeti