Shumë amerikanë kanë mbetur të habitur se nëpër kafene dhe restorante në Evropë, nuk shërbehet ujë nga çezmat. Ata thonë se nëse e viziton Evropën dhe kërkon ujë në një lokal gastronomie, do të shërbehesh me një shishe ujë, të cilën duhet ta paguash deri në 2 euro. Çështja është bërë aq e madhe sa ka kaluar në virale edhe në rrjetet sociale si TikTok, Instagram e X.
Amerikania Helene Sula kujton herën e parë që zbuloi se uji i rubinetit ishte një “lojë ndryshe” në Evropë.
Sula, nga Teksasi, ishte në një restorant në Gjermani. Kur kamerieri i kërkoi porosinë e saj për pije, Sula kërkoi ujë.
“Ata disi më tallën mua si: Mund të marrësh ujë, por pse do”, kujton Sula.
Ajo kujton se hodhi një vështrim përreth dhe kuptoi se të gjithë të tjerët në restorant po shijonin gota me verë dhe birrë – pra nuk dukej ujë.
Sula përsëriti kërkesën e saj për ujë dhe kamerieri u ngrys. Por, kur uji mbërriti, nuk ishte gota gjigante me ujin falas të rubinetit, e mbushur me akull, ashtu siç priste Sula.
Në vend të kësaj, asaj i është servuar një shishe një litërshe me ujë të gazuar, e shoqëruar nga një gotë e vogël për pije dhe çmimi prej 2 eurosh.
Sula nuk mund ta besonte.
“Në SHBA, ju uleni në tavolinë dhe aty keni një gotë të madhe me ujë me akull dhe kjo as që diskutohet – është e vendosur në tavolinë. Pa marrë parasysh nëse jeni në një restorant elegant apo në një restorant të rastësishëm, do të merrni një gotë të madhe me ujë falas”, thotë Sula për CNN Travel.
Disa vite më vonë, kur Sula dhe burri i saj u zhvendosën në Gjermani, çifti vuri re një tjetër ndryshim kulturor të lidhur me ujin.
Sa herë që dalin për shëtitje, me biçikletë ose thjesht shëtitje në këmbë, Sula dhe bashkëshorti i saj paketojnë shishe të mëdha uji dhe i marrin me vete në një lloj çante shpine.
"Kështu që ne mund të pimë ujë në çdo moment të mundshëm", ka shpjeguar Sula.
Ndërkohë, miqtë e tyre evropianë shpesh mbeten pa ujë, duke pritur derisa shkojnë në një bar atë mbrëmje, dhe madje edhe atëherë, ata zakonisht zgjedhin verë në vend të ujit. Sula nuk mund ta besonte.
"Sapo kuptova, ndoshta evropianët thjesht nuk dehidratohen si ne”, ka thënë Sula, ende e hutuar edhe pas disa vitesh që jeton në Evropë.
Të kuptuarit e zakoneve evropiane të ujit
Nëse po mendoni: “Prisni, ky është vetëm mendimi i një personi dhe është një përgjithësim mjaft i gjerë", do të kishit të drejtë. Në fund të fundit, ka shumë vende të ndryshme brenda Evropës, secili me kulturën e vet, zakonet dietike, traditat dhe zakonet e pirjes së ujit, shkruan CNN.
Dhe sigurisht që SHBA-ja nuk është një monolit kulturor. Sigurisht, disa amerikanë krenohen me gotat e tyre të mëdha “Stanley” dhe marrin përsipër sfidat e përditshme të lidhura me ujin, por të tjerë gjithmonë do të zgjedhin pijet e gazuara nëse u ofrohet si mundësi.
Dhe ndërsa shumë amerikanë janë të vetëdijshëm për ndikimin mjedisor të shisheve plastike të ujit, të tjerë e shmangin në mënyrë aktive ujin nga rubineti i kuzhinës dhe e mbajnë frigoriferin e tyre të mbushur me ujë me shishe.
Megjithatë, Sula nuk është e vetmja që mendon kështu. Ndarja e informacioneve për konsumin evropian të ujit të rubinetit (ose mungesën e tij) nga udhëtarët amerikanë është bërë një tendencë e mediave sociale gjatë vitit të kaluar apo më shumë.
Merrni përdoruesin e TikTok “br3nnak3ough”, i cili në verën e vitit 2023 ngarkoi një video që përshkruante miqtë e tij duke hedhur shishe të mëdha me ujë. Videon ai e shoqëronte me tekstin: "Ne në momentin që mund të gjejmë ujë, sepse evropianët nuk besojnë në ujë".
Kjo video u shikua 10.9 milionë herë dhe tërhoqi 13,800 komente.
Ndërkohë, Rob Murgatroyd, një amerikan që jeton në Itali, kohët e fundit ngarkoi në TikTok një video duke komentuar se ndryshimi midis konsumit të ujit në SHBA dhe Itali i kishte “marrë mendjen” që kur u transferua në Firence.
"Nga vija unë, ne praktikisht jemi të lidhur për të pirë ujë pa pushim, sikur të jetë ngjarja jonë kryesore, ndërsa këtu në Itali, të dallosh dikë me një shishe uji është si të gjesh një gjilpërë në kashtë”, ka shkruar Murgatroyd bashkëngjitur me videon.
Ka përdorues të TikTokut që çuditen me madhësinë e gotave evropiane të ujit, e po ashtu shfaqen video në Instagram teksa bëhet kërkesa për një enë të madhe me ujë rubineti në një bar evropian, dhe postime në X duke u ankuar se duhet paguar ujin në shishe në restorante.
Sula, e cila tregon për jetën e saj jashtë vendit në blogun “Helene in Between”, ka komentuar disa herë në “debatin e madh për ujin evropian të rubinetit”, përfshirë komentet e saj në fund të vitit të kaluar.
"Uji i rubinetit nuk është falas në restorantet evropiane”, ka pohuar Sula në një video në TikTok, nëntorit e vitit 2023. "Edhe nëse e merrni atë, ai vjen në një gotë të vogël”, ka shtuar ajo.
Shumë komentues ishin shpërfillës. “Është falas. Ata ju kanë parë që keni ardhur nga një vend shumë i largët”, thuhet në një përgjigje.
Të tjerë i bënë jehonë përvojës së Sulës, duke shtuar se ndërsa uji i rubinetit është zakonisht i disponueshëm - uji mineral në shishe ose uji i filtruar në shishe është më i zakonshëm në shumë vende evropiane.
“Mendoj se është një bisedë shumë interesante. Bota mund të ndihet shumë e vogël ndonjëherë, sepse ne jemi të gjithë në internet dhe është një shoqëri kaq globale tani ... kështu që mendoj se është interesante të kemi këto biseda, të flasim për dallimet”, ka thënë Sula.
Vlerësimi nga eksperti i ujit
Për të kuptuar se çfarë po ndodh vërtet përtej vetëm dëshmive anekdotike, CNN Travel ka kontaktuar Stavros A. Kavouras, një profesor i të ushqyerit në Universitetin Shtetëror të Arizonës. Kavouras është drejtor i Laboratorit për studimet rreth hidratimit në këtë universitet, i cili fokusohet në ndikimin e tij në shëndet.
Kavouras është gjithashtu një emigrant grek, i cili ka jetuar në SHBA për 20 vjet, kështu që ai është parë si personi i duhur për të komentuar për përplasjet kulturore transatlantike.
Së pari, Kavouras thekson morinë e dallimeve midis vendeve që përbëjnë kontinentin evropian. Ai thekson, për shembull, kontrastin midis "ushqimeve të Evropës veriore kundrejt kuzhinës franceze, italiane, greke dhe preferencave dietike".
“Nuk më pëlqejnë përgjithësimet,” ka thënë Kavouras, i cili është shprehur se megjithëse është joshëse të krijosh një Evropë kundrejt dikotomisë së SHBA-së, ajo zakonisht nuk qëndron.
Kavouras gjithashtu ka theksuar se amerikanët që vizitojnë Evropën dhe postojnë për të në internet nuk përfaqësojnë shumicën e popullsisë së SHBA-së.
"Nuk është një amerikan mesatar. Popullsia që ju shihni që shkon në Evropë janë njerëz më të arsimuar, më të pasur, me status më të lartë socio-ekonomik…”, ka deklaruar ai.
Kjo është e rëndësishme, sipas tij, sepse ka të dhëna që zbulojnë se amerikanët me status më të ulët socio-ekonomik pinë më pak ujë.
Por pas vendosjes së këtyre parametrave dhe kualifikimeve, Kavouras pajtohet se ka disa dallime të mundshme midis SHBA-së dhe Evropës kur bëhet fjalë për "çfarë pinë njerëzit, çfarë pëlqejnë njerëzit dhe sa të hidratuar janë".
“Për shembull, nëse shkoni në Gjermani dhe kërkoni ujë, ju merrni ujë të gazuar. Kjo është parazgjedhja. Dhe kështu, nëse do të shërbenit ujë rubineti në Gjermani, njerëzit do të ishin si: "Oh, unë nuk e pi këtë ujë”, është shprehur ai.
Kavouras gjithashtu ka vënë në dukje se pagimi i disa eurove shtesë për një shishe qelqi me ujë në darkë është më i pranuar në Evropë sesa në SHBA.
“Ndërsa amerikanët mund të tronditen, është diçka që shumë evropianë nuk do ta mendonin dy herë”, ka thënë Kavouras.
Ai mendon se amerikanët e shqetësuar nga kostoja shtesë mund ta shohin këtë si "ekuivalentin e bakshishit amerikan që duhet ta paguani, 17 deri në 25% në ditët e sotme në Shtetet e Bashkuara", (Kultura e bakshishit në Evropë është krejt e ndryshme, dhe zakonisht përfshin përqindje shumë më të vogla).
Sa i përket asaj nëse evropianët janë përgjithësisht më të dehidratuar se amerikanët, Kavouras ka thënë se është interesante që ka një ndryshim midis udhëzimeve dietike për marrjen e ujit në SHBA dhe Evropë.
“Në Shtetet e Bashkuara, udhëzimet janë 2.7 litra për femrat dhe 3.7 litra në ditë për meshkujt. Dhe në Evropë, numrat ekuivalent janë 2.0 dhe 2.5. Pra, këto janë udhëzimet - kjo nuk do të thotë se kjo është ajo që pinë njerëzit, por kjo është ajo që rekomandohet”, është shprehur ai.
Dhe sa i përket shakave amerikane në TikTok për ujin e rubinetit të shërbyer në “gota të vogla” në Evropë, Kavouras ka thënë se kjo mund të jetë pjesë e një ndryshimi më të përgjithshëm midis SHBA-së dhe pjesës tjetër të botës.
"Dua të them, ju e dini stereotipin se SHBA-ja e bën gjithçka më të madhe, veturat, shtëpitë, gjithçka është më e madhe, servirjet në restorante ... etj. Unë mendoj se mund të jetë pak nga kjo”, është shprehur Kavouras, duke shtuar se e njëjta gjë vlen edhe për "termoset e mëdhenj të ujit që bartin amerikanët".
Kavouras ka deklaruar se i duket gjithmonë argëtuese kur sheh kolegët e tij që vijnë në punë me "një sasi të vogël uji, sikur nuk ka ujë në ndërtesë".
Termoset gjigante të ujit janë "të panevojshëm" sipas Kavouras. Ai ka këshilluar që të gjithë të gjejnë një mënyrë për t'u siguruar që janë të hidratuar mirë gjatë gjithë ditës, pavarësisht nëse janë duke punuar në një zyrë amerikane apo duke ecur nëpër një qytet evropian.
“Uji është një komponent kritik i çdo diete të shëndetshme. Pra, të jesh i hidratuar në mënyrë adekuate, është shumë e rëndësishme, veçanërisht në verë”, është shprehur ai.
Nëse je një udhëtar amerikan që shkon në Evropë këtë verë dhe në panik për situatën e ujit, këshilla e Kavouras është që së pari t'i marrësh të gjitha postimet virale të mediave sociale me pak shaka.
“Ia vlen të hulumtoni destinacionin specifik ku po shkoni dhe të zbuloni se çfarë është norma atje – në vend që të supozoni se çdo vend në Evropë është i njëjtë”, ka thënë ai.
Dhe nëse doni të anashkaloni ujin në shishe në restorante, Kavouras ka udhëzuar që të qëndroni të hidratuar duke blerë në një dyqan ushqimesh në vend të kësaj.
“Uji në shishe nuk është aq i shtrenjtë nëse planifikoni pak dhe blini ujin nga supermarketi, kundrejt blerjes së tij gjithmonë në restorante”, është shprehur ai.
Dhe këshilla e fundit e Kavouras është që të paketoni një shishe uji të ripërdorshme në valixhen tuaj dhe ta mbani me vete gjatë gjithë pushimeve tuaja.
“Uji i rubinetit në shumicën e qyteteve evropiane është i pijshëm, është i sigurt dhe ju mund ta pini atë”, ka deklaruar Kavouras.
Shumë qytete evropiane kanë shatërvanë në të gjithë qytetin ku njerëzit mund të ndalojnë dhe të hidratohen. Hotelet, kafenetë dhe restorantet zakonisht do t'ju mbushin shishen nëse kërkoni.
"Sillni një shishe uji të zbrazët. Thjesht sillni një shishe uji me madhësi normale, në mënyrë që ta rimbushni sa herë të keni mundësi”, ka përfunduar ai.