Botë

Talibanët lirojnë 2 të burgosur amerikanë për një të dënuar për trafikim narkotikësh

Ryan Corbett me fëmijët e tij, foto: AP

Ryan Corbett me fëmijët e tij, foto: AP

Një shkëmbim i të burgosurve është organizuar në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe regjimit taliban në Afganistan. Dy amerikanë u liruan në këmbim të një talibani të rëndësishëm, i cili ishte i dënuar me burg të përjetshëm për trafikim të narkotikëve dhe terrorizëm, kanë njoftuar zyrtarët të martën, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press. 

Talibanët vlerësuan marrëveshjen si hap drejt “normalizimit të marrëdhënieve” me SHBA-në, por kjo nuk ka shpresë se mund të jetë një hap shumë i madh, pasi shumë vende ende nuk e njohin regjimin taliban. 

Ministria e Jashtme e talibanëve në Kabul ka konfirmuar shkëmbimin, duke shtuar se dy qytetarë amerikanë të paidentifikuar janë këmbyer për Khan Mohammed, i cili ishte dënuar me dy herë me burgim të përjetshëm në vitin 2008. 

Familja e Ryan Corbettm, njëri nga amerikanët e mbajtur nga talibanët, ka konfirmuar se ai është liruar. Corbett, ka jetuar në Afganistan me familjen e tij në kohën e rënies së qeverisë së mbështetur nga SHBA-ja në Afganistan, dhe ishte arrestuar në gusht të 2022-tës gjatë një udhëtimi biznesi.

Familja Corbett ka falënderuar Katarin për ndihmë. Katari i cili ka ndërmjetësuar negocimin në mes SHBA-së dhe talibanëve për shumë vjet, nuk është përgjigjur në kërkesën për koment.

Përmes burimeve jozyrtare CNN dhe New York Times, kanë identifikuar të liruarin e dytë si William McKenty, por nuk ka detaje për të apo për prezencën e tij në Afganistan. 

Khan Mohammed ishte arrestuar në fushëbetejë në provincën Nangarhar të Afganistanit  dhe më vonë është dërguar në SHBA, pasi një gjykatës federal e kishte akuzuar për trafikimin e heroinës për në SHBA.

Departamenti i Drejtësisë i ishte referuar Khan Mohammedit si “një xhihadist i dhunshëm dhe trafikant narkotikësh” i cili “ka dashur të vrasë ushtarë amerikanë në Afganistan duke përdorur raketa”. Ai ishte personi i parë i cili ishte dënuar bazuar në ligjet për narkoterrorizëm.