Botë

Talebanët shkarkojnë mbi 280 anëtarë të forcës së sigurisë pasi dështuan t’i rritnin mjekrat

Ilustrim

Ilustrim

Foto: Associated Press

Ministria e Moralit e talebanëve ka shkarkuar më shumë se 280 anëtarë të forcës së sigurisë për shkak të dështimit të rritjes së mjekrës, dhe ka arrestuar më shumë se 13,000 njerëz në Afganistan për "akte imorale" vitin e kaluar, kanë bërë të ditur zyrtarët të martën.

Ministria për Parandalimin e Vesit dhe Përhapjen e Virtytit ka thënë në përditësimin e saj vjetor të operacioneve, se rreth gjysma e të ndaluarve ishin liruar pas 24 orësh. 

Nuk është bërë i ditur lloji i veprave të supozuara apo gjinia e të paraburgosurve, raporton Reuters.

Mohibullah Mokhlis, drejtor i Planifikimit dhe Legjislacionit në ministri, ka thënë në një konferencë për media se zyrtarët kishin shkatërruar 21,328 instrumente muzikore vitin e kaluar dhe kishin penguar mijëra operatorë kompjuterësh të shisnin filma "imoralë dhe joetikë" në tregje.

“Kemi identifikuar 281 anëtarë të forcave të sigurisë për mungesë mjekre dhe ata janë shkarkuar, në përputhje me interpretimin e tyre të ligjit islamik”, ka thënë Mokhlis. 

Ministria e Moralit është kritikuar nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe Kombet e Bashkuara për kufizime ndaj grave dhe frenim të lirisë së shprehjes.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Afganistan ka raportuar raste të zyrtarëve të ministrisë së Moralit që ndalojnë gratë, herë pas here për disa orë, sepse nuk kanë përmbushur interpretimin e tyre të veshjes islame.

Talebanët i kanë quajtur akuzat për ndalime "të pabaza" dhe thonë se rregullat zbatojnë interpretimin e tyre të ligjit islamik dhe zakoneve afgane.

Ministria e Moralit nuk ka dhënë shifra në lidhje me kontrollin e veshjeve të grave apo udhëtimin e tyre pa një kujdestar mashkull, të cilin autoritetet e kanë ndaluar gjithashtu për distanca më të gjata. 

Ministria ka bërë të ditur se po punohet për një plan të ri për të siguruar që rregullat e veshjes islame të ndiqen, të mbikëqyrur nga udhëheqësi suprem shpirtëror i cili është me qendër në qytetin jugor të Kandaharit.