Botë

Tajvani raporton për numër rekord avionësh në stërvitjet ushtarake kineze

Anije luftarake kineze

Foto: Associated Press

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit ka thënë të martën se ka zbuluar numër rekord prej 153 avionëve ushtarakë kinezë që kanë marrë pjesë në stërvitjet ushtarake të Kinës rreth ishullit një ditë më parë, duke detajuar rritje të aktiviteteve të aeroplanëve të luftës.

Kina ka thënë që stërvitja njëditore, e quajtur “Joint Sword-2024B”, ka qenë paralajmërim kundër “akteve separatiste”, pas mbajtjes së fjalimit kombëtar të javës së kaluar nga presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te.

Stërvitjet nuk kanë qenë vetëm shqetësuese për Tajvanin, por gjithashtu kanë rrezikuar destabilizimin në rajon, ka thënë kryeministri, Cho Jung-tai.

“Çdo stërvitje pa paralajmërim paraprak do të shkaktojë trazirë në paqen dhe stabilitetin e rajonit”, ka thënë ai. “Jo vetëm që kanë ndikim në lagjet e Tajvanit, por gjithashtu i prekin seriozisht të gjitha të drejtat ndërkombëtare të lundrimit dhe hapësirën ajrore e detare, kështu që tërhoqi edhe vëmendjen e vendeve të tjera”.

Në një përditësim të aktivitetit të ushtrisë kineze rreth ishullit, Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit ka thënë se ka parë 153 avionë ushtarakë, duke i kaluar shifrat e së hënës me 125 avionë, raporton Reuters.

Harta e ministrisë ka treguar se 28 prej këtyre avionëve kanë kaluar vijën e ndjeshme të ngushticës së Tajvanit, e cila më parë kishte shërbyer si pengesë jozyrtare, por Kina ka thënë se nuk e njeh.

Zonat të tjetra ku ka pasur aktivitete janë ujërat e bregut juglindor, vend i bazave kryesore ajrore të Tajvanit, dhe jugperëndimin, në pjesën e sipërme të Detit të Kinës Jugore, vendi i ishujve Pratas të kontrolluar nga Tajvani.

Gjithashtu janë parë edhe 14 anije të marinës kineze dhe 12 anije “zyrtare”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Stërvitjet e Kinës nxitën shqetësim edhe te Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe te aleatët e saj, me Pentagonin që i cilësoi ato si “të papërgjegjshme, joproporcionale dhe destabilizuese”.

Tajvani është ankuar për aktivitetin pothuajse të përditshëm ushtarak kinez në pesë vjetët e fundit dhe Kina tani ka mbajtur të paktën katër raunde stërvitjesh luftarake, që nga viti 2022.

Tajvani i hedh poshtë pretendimet territoriale të Pekinit, duke thënë se vetëm njerëzit e ishullit mund të vendosin për të ardhmen e tyre.