Tajlanda dhe Zelanda e Re po synojnë që të trefishojnë tregtinë mes tyre brenda 21 viteve të ardhshme si dhe të përmirësojnë marrëdhëniet e tyre, kanë njoftuar të mërkurën udhëheqësit e të dy vendeve.
Ky njoftim u bë publik gjatë një vizite shtetërore të kryeministrit të Zelandës së Re, Christopher Luxon në Bangkok, raporton “Associated Press”.
Kryeministri i Zelandës së Re është takuar me kryeministrin e Tajlandës, Srettha Thavisin për të diskutuar mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe ndërkombëtare, duke përfshirë tregtinë, investimet, marrëveshjet e vizave, turizmin, krimin e sigurinë kibernetike.
Udhëheqësit kanë nënshkruar dy memorandume të mirëkuptimit: një për arsimin dhe një që mbulon furnizimin, riparimin dhe mirëmbajtjen në sektorin e aviacionit.
Kryeministri i Tajlandës dhe homologu i tij kanë diskutuar edhe për zhvillimet në Myanmarin fqinj. Ata kanë bërë të ditur se janë gati të ofrojnë ndihma për ata që janë prekur nga trazirat e vazhdueshme në atë zonë.