Brenda dhomës së kontrollit, oficerët e policisë ulen në rreshta, përcjellin transmetimet e drejtpërdrejta nga mijëra kamera, dhe vëzhgojnë jetën e gjashtë milionë njerëzve që jetojnë në kryeqendër, Kabul. Nga targat e makinave deri te shprehjet e fytyrës, gjithçka monitorohet. Autoritetet thonë se një mbikëqyrje e tillë do të ndihmojë në luftimin e krimit, por kritikët kanë frikë se do të përdoret për të shtypur disidencën dhe për të monitoruar respektimin e kodit të rreptë të moralit, i cili zbatohet nga qeveria islamike talebane bazuar në interpretimin e tyre të ligjit të Sheriatit
Në një qendër kontrolli të mbushur me njerëz, të rrethuar nga dhjetëra ekrane televizive, forcat policore të talebanëve shfaqin me krenari rrjetin prej 90 mijë kamerash të përdorura për të vëzhguar jetën e përditshme të miliona njerëzve.
“Ne e monitorojmë të gjithë qytetin e Kabulit nga këtu”, thotë Khalid Zadran, zëdhënës i policisë talebane.
Autoritetet thonë se një mbikëqyrje e tillë do të ndihmojë në luftimin e krimit, por kritikët kanë frikë se do të përdoret për të shtypur disidencën dhe për të monitoruar respektimin e kodit të rreptë të moralit, i cili zbatohet nga qeveria islamike talebane bazuar në interpretimin e tyre të ligjit të Sheriatit.
Gazetarët e BBC-së janë gazetarët e parë ndërkombëtarë që janë lejuar të shohin këtë sistem.
Brenda dhomës së kontrollit, oficerët e policisë ulen në rreshta, përcjellin transmetimet e drejtpërdrejta nga mijëra kamera, dhe vëzhgojnë jetën e gjashtë milionë njerëzve që jetojnë në Kabul.
Nga targat e makinave deri te shprehjet e fytyrës, gjithçka monitorohet.
“Në lagje të caktuara, kur vërejmë grupe njerëzish dhe dyshojmë se mund të jenë të përfshirë në përdorimin e drogës, aktivitete kriminale ose diçka të dyshimtë, ne i drejtohemi shpejt policisë lokale”, thotë Zadran.
“Ata pastaj mbërrijnë me shpejtësi në vendngjarje për të hetuar natyrën e tubimit”.
Nën qeverinë e mëparshme, Kabuli përballej çdo ditë me sulme nga talebanët dhe të ashtuquajturit militantë të Shtetit Islamik, si dhe me rrëmbime të profilit të lartë dhe grabitje makinash. Kur talebanët rimorën pushtetin në vitin 2021, ata premtuan se do ta luftojnë krimin.
Shtimi dramatik i numrit të kamerave të vëzhgimit në kryeqytet është një shenjë e sofistikimit në rritje për mënyrën se si talebanët zbatojnë ligjin dhe rendin. Para kthimit të tyre, vetëm 850 kamera ishin të vendosura në kryeqytet, sipas një zëdhënësi të forcave të sigurisë që u dëbua nga pushteti.
E megjithatë, në tre vjetët e fundit, autoritetet talebane kanë prezantuar edhe një sërë masash drakoniane që kufizojnë të drejtat dhe liritë e njerëzve, veçanërisht ato të grave. Qeveria talebane nuk është njohur zyrtarisht nga asnjë vend tjetër.
Sistemi i mbikëqyrjes, që BBC-ja pati rastin ta shohë në Kabul, përmban opsionin për të identifikuar njerëzit me anë të tipareve të fytyrës. Në cep të njërit prej ekraneve shfaqen imazhe me secilën fytyrë të kategorizuar sipas grupmoshës, gjinisë dhe nëse kanë mjekër apo maskë.
“Në ditë të kthjellëta, ne mund të zmadhojmë dhe identifikojmë individët të cilët janë me kilometra larg”, thotë Zadran, duke bërë me gisht drejt një kamere të pozicionuar në një kryqëzim me trafik të ngarkuar.
Talebanët madje monitorojnë edhe personelin e tyre. Në një pikë kontrolli, ndërkohë që ushtarët hapin bagazhin e një makine për inspektim, operatorët fokusojnë lentet e kamerave të tyre për të shqyrtuar përmbajtjen brenda.
Ministria e Brendshme thotë se kamerat “kanë kontribuuar në mënyrë të konsiderueshme në rritjen e sigurisë, frenimin e shkallës së krimit dhe kapjen e shpejtë të shkelësve të ligjit”. Sipas Ministrisë, vëzhgimi përmes kamerave dhe kontrollet e motoçikletave kanë çuar në një ulje prej 30% të shkallës së krimit midis vitit 2023 dhe 2024, por nuk është e mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur këto shifra.
Megjithatë, grupet e të drejtave kanë shprehur shqetësim mbi atë se kush monitorohet dhe për sa kohë monitorohet.
“Amnesty International” thotë se instalimi i kamerave “nën maskën e ‘sigurisë kombëtare’ u ofron talebanëve një lloj sigurie që të vazhdojnë me ushtrimin e politikave të tyre drakoniane që shkelin të drejtat themelore të njerëzve në Afganistan, veçanërisht të grave në hapësirat publike”.
Sipas ligjit, gratë nuk lejohet të dëgjohen jashtë shtëpive të tyre, edhe pse në praktikë kjo nuk po zbatohet rreptësishtë. Adoloshentet nuk lejohen të shkollohen apo ndjekin mësimet në arsimin e mesëm dhe të lartë. Shumicës dërrmuese të grave u ndalohet që të punojnë. Në dhjetor, gratë që trajnoheshin si mami dhe infermiere i thanë BBC-së se ishin urdhëruar të mos ndiqnin më ligjëratat.
Ndonëse gratë vazhdojnë të jenë të pranishme në rrugët e qyteteve si Kabuli, atyre u kërkohet që të mbulojnë fytyrën.
Fariba*, një e re e diplomuar, që jeton me prindërit e saj në Kabul, nuk ka mundur të gjejë punë që kur talebanët erdhën në pushtet. Ajo i thotë BBC-së se ka “shqetësim të madh se kamerat e vëzhgimit mund të përdoren për të monitoruar mbajtjen e hixhabit”.
Talebanët thonë se vetëm policia e qytetit ka qasje në sistemin e kamerave të vëzhgimit dhe se policia talebane e moralit nuk e përdor atë.
Por Fariba është e shqetësuar se kamerat do të rrezikojnë më tej ata që kundërshtojnë sundimin taleban.
“Shumë individë, veçanërisht ish-ushtarakë, avokatë të të drejtave të njeriut dhe gra që kundërshtojnë sistemin, luftojnë për të lëvizur lirshëm dhe shpesh jetojnë në fshehtësi”, thotë ajo.
“Ekziston shqetësim i madh se kamerat e vëzhgimit do të përdoren gjithashtu për të monitoruar hixhabet”, shton ajo.
“Human Rights Watch”, ndërkohë, thotë se Afganistani nuk ka ligj për mbrojtjen e të dhënave, përmes të cilit do të rregullohej mënyra se si përdoren pamjet e këtyre kamerave.
Policia thotë se të dhënat ruhen vetëm për tre muaj, ndërsa, sipas Ministrisë së Brendshme, kamerat nuk paraqesin kërcënim për privatësinë pasi ato “operohen nga një dhomë e veçantë dhe tërësisht konfidenciale, nga një përgjegjës specifik dhe profesional”.
Kamerat duket se janë të prodhuara në Kinë. Marka në monitorët e dhomës së kontrollit që BBC-ja pa, mbante emrin Dahua, një kompani e lidhur me qeverinë kineze. Raportet e mëparshme se talebanët ishin në bisedime me “Huawei Technologies” të Kinës për të blerë kamera, u mohuan nga kompania. Zyrtarët talebanë refuzuan t’u përgjigjen pyetjeve të BBC-së se ku i kishin marrë pajisjet.
Një pjesë e kostos së instalimit të rrjetit të ri bie mbi afganët e zakonshëm që po monitorohen nga sistemi.
Në një shtëpi në qendër të Kabulit, BBC-ja foli me Shellan*, së cilës iu kërkua që t’i paguante disa nga kamerat e instaluara në rrugët afër shtëpisë së saj.
“Ata u kërkuan pagesë mijëra afganëve”, thotë ajo. Është një shumë e madhe në një vend ku ato gra që punojnë mund të fitojnë vetëm rreth 68 dollarë në muaj.
Situata humanitare në Kabul dhe në Afganistan në përgjithësi, mbetet e pasigurt pas vitesh të tëra lufte. Ekonomia e vendit është në krizë, dhe ndihma ndërkombëtare pothuajse është shteruar që kur talebanët u kthyen në pushtet.
Sipas Kombeve të Bashkuara, 30 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë.
“Nëse familjet refuzonin të paguanin për kamerat, ata kërcënoheshin me ndërprerje të ujit dhe energjisë brenda tri ditëve”, shton Shella*. “Duhej të merrnim kredi për t’i mbuluar shpenzimet”.
“Njerëzit janë të uritur, çfarë dobie kanë këto kamera për ta?”
Talebanët thonë se nëse njerëzit nuk duan të kontribuojnë, ata mund të parashtrojnë ankesë zyrtare.
“Pjesëmarrja ishte vullnetare dhe donacionet ishin në qindra, jo mijëra”, këmbëngul Khalid Zadran, zëdhënësi i policisë talebane.
Pavarësisht garancive, aktivistët e të drejtave të njeriut, brenda dhe jashtë Afganistanit, vazhdojnë të kenë shqetësime mbi atë se si do të përdoret një sistem kaq i fuqishëm mbikëqyrjeje.
Jaber, një shitës perimesh në Kabul, thotë se kamerat përfaqësojnë një mënyrë tjetër të pafuqisë së afganëve.
“Ne trajtohemi si plehra, na mohohet mundësia për të fituar jetesën dhe autoritetet na konsiderojnë si të pavlerë”, tha ai për BBC-në.
“Nuk mund të bëjmë asgjë”.
*Emrat e grave të intervistuara janë ndryshuar për shkak të sigurisë së tyre.