Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak është shprehur i tronditur dhe i pikëlluar për vdekjen e punonjësve të organizatës bamirëse “World Central Kitchen” në Gaza, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
“Ne po i kërkojmë Izraelit që të hetojë urgjentisht atë që ndodhi, sepse ka pyetje që duhet të marrin përgjigje”, ka thënë ai.
Organizata bamirëse e ushqimit “World Central Kitchen”, e themeluar nga kuzhinieri i famshëm José Andrés ka njoftuar se shtatë viktimat përfshijnë qytetarë të Australisë, Polonisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe njëri prej tyre ka shtetësi të dyfishtë amerikano-kanadeze.
Ushtria izraelite ka njoftuar se po e rishqyrton rastin për të kuptuar rrethanat e këtij incidenti tragjik.
Për vdekjen e punonjësve të “World Central Kitchen” ka reaguar edhe Presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides. Ai ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave dhe ka bërë thirrje për hetim të menjëhershëm dhe të plotë të këtij incidenti.
Kina i bën thirrje Izraelit që të zbatojë Rezolutën 2728 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së
Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës është shprehur “e tronditur” për vdekjen e gjashtë punonjësve të organizatës bamirëse “World Central Kitchen” dhe shoferit të tyre, si pasojë e një sulmi ajror izraelit në Gaza.
“Civilët nuk duhet të jenë objektiva të sulmeve dhe siguria e punonjësve të organizatave ndërkombëtare nuk duhet të kërcënohet. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve, veçanërisht Izraelit, që të zbatojnë Rezolutën 2728 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë zëdhënësi i ministrisë, Wang Wenbin, në një konferencë shtypi në Pekin, raporton AP.
Viktimat përfshijnë tre shtetas britanikë, një australian, një shtetas polak dhe një shtetas të dyfishtë amerikano-kanadez, sipas të dhënave të spitalit.
Wang Wenbin ka dënuar edhe sulmin ndaj Konsullatës iraniane në Siri, si pasojë e të cilit të vdekur mbetën dy gjeneralë iranianë dhe pesë oficerë.
“Siguria e institucioneve diplomatike nuk lejon asnjë shkelje, dhe sovraniteti, pavarësia e integriteti territorial i Sirisë duhet të respektohen”, ka theksuar Wang.