Botë

Sulmuesi i Trumpit kishte lëshuar dron afër tubimit dy orë para se ai të niste fjalimin, sipas FBI-së

Christopher Wray

Christopher Wray

Foto: Associated Press

Vrasësi i mundshëm i Donald Trumpit kishte lëshuar një dron në zonën pranë tubimit, vetëm dy orë përpara se ish-presidenti të dilte në skenë, më 13 korrik në Butler, Pensilvani, ka bërë të ditur të mërkurën drejtori i FBI-së, Christopher Wray.

Duke folur në Komitetin Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, Wray zbuloi se rreth orës 16:00, sulmuesi, Thomas Matthew Crooks, "po fluturonte me dronin rreth zonës" së tubimit, afërsisht 200 metra larg skenës, raporton CNN.

Droni ishte në ajër për rreth 11 minuta dhe hetuesit besojnë se Crooks shikonte një transmetim të drejtpërdrejtë nga droni në telefonin e tij. CNN raportoi më parë se droni u gjet në veturën e tij pas të shtënave.

Përveç kësaj, Crooks kishte dy eksplozivë në veturën e tij në kohën e sulmit dhe një në shtëpinë e tij, por me gjasë nuk kishte aftësinë t'i shpërthente nga çatia ku u vra, sipas raportimit të Wray.

“Duket sikur për shkak të pozicionit të ndezjes/fikjes në marrës, nëse ai do të kishte tentuar t'i shpërthente ato pajisje nga çatia, nuk do të kishte funksionuar”, ka thënë Wray.

FBI-ja po e heton sulmin si një atentat në tentativë dhe si një akt të mundshëm të terrorizmit vendas.

Hetuesit thonë se Crooks qëlloi afërsisht tetë herë nga një pushkë e stilit AR në drejtim të ish-presidentit, përpara se të vritej nga një kundër snajper i Shërbimit Sekret të SHBA-së.

Pushka e përdorur nga Crooks ishte blerë nga babai i tij, sipas dëshmisë së Wray.

“Arma që ai përdori për atentatin ishte një pushkë e stilit AR që ishte blerë legalisht, të cilën ai, sipas mendimit tim, e bleu në fakt nga babai i tij, i cili ishte ai që e bleu fillimisht”, ka thënë Wray.

Zyrtarët e FBI-së kanë pohuar vazhdimisht se ata besojnë se Crooks veproi i vetëm. Edhe të mërkurën, Wray përsëriti se nuk ka prova për ndonjë bashkëpunëtor.

Lexo përditësimet tjera
Christopher Wray

FBI-ja s’do të lë gurë pa lëvizur në hetimin për sulmin ndaj Trumpit, thotë drejtori i saj

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, është duke raportuar para Kongresit amerikan, lidhur me atentatin ndaj ish-presidentit,...