Rafah

Sulmin vdekjeprurës në Rafah, Netanyahu e quan “gabim tragjik”

Benjamin Netanyahu -

Foto: Associated Press

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se sulmi që vrau dhjetëra palestinezë të zhvendosur në Rafah ishte një “gabim tragjik”. Netanyahu i tha Parlamentit të Izraelit se ishte jetike që Izraeli të merrte “çdo masë të mundshme paraprake” për të mbrojtur civilët e kapur në luftime në Gaza.

Ai u tha deputetëve se një hetim mbi incidentin ka nisur, por këmbënguli se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kishin bërë “përpjekjet më të mira të mundshme për të mos lënduar ata që nuk janë të përfshirë” në konflikt. 

Aleatët ndërkombëtarë kanë dënuar sulmin izraelit në Rafah. Bashkimi Evropian këmbënguli që Izraeli të respektojë vendimin e javës së kaluar të marrë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që bën thirrje të ndalen sulmet në Rafah. 

Shtëpia e Bardhë po ashtu ka kërkuar nga Izraeli që të marrë çdo masë të mundshme paraprake për t’i mbrojtur civilët në Gazë. 

“E kemi thënë të qartë se Izraeli duhet të marrë çdo masë të mundshme paraprake për t’i mbrojtur civilët. Ne po angazhohemi në mënyrë aktive me IDF-në dhe partnerët për të vlerësuar se çfarë ndodhi”, ka thënë një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

E Netanyahu ka thënë se ishte “një incident tragjik” ajo që ndodhi. 

“Përkundër përpjekjeve tona maksimale për të mos lënduar civilët e pafajshëm, mbrëmë pati një gabim tragjik. Ne jemi duke hetuar incidentin dhe do të dalim me përfundim pasi kjo është politikë e jona”, tha Netanyahu.