Ukraina ka pretenduar se Rusia ka hedhur atë që dukej të ishte një raketë balistike ndërkontinentale në qytetin e Dnipros të enjten. Ndërkaq Rusia ka thënë se bëhet fjalë për “raketa të reja” me rreze të mesme veprimi.
Nëse konfirmohet akuza e Ukrainës, kjo do të ishte hera e parë që përdoret në luftë një armë e krijuar për të kryer sulme bërthamore në distanca të gjata.
Zyrtarët perëndimorë, të cilët folën në kushte anonimiteti, kanë thënë për “Reuters” se analiza fillestare ka treguar se nuk ishte një raketë balistike ndërkontinentale, megjithëse kanë lënë të hapur mundësinë që epilogu mund të ndryshojë.
Pavarësisht nga klasifikimi i raketës, sulmi i fundit ka vënë në pah tensionet në rritje të shpejtë në luftën 33-mujore.
Ukraina ka gjuajtur raketa amerikane dhe britanike drejt objektivave brenda Rusisë këtë javë, pavarësisht paralajmërimeve nga Moska se do ta shihte një veprim të tillë si përshkallëzim të madh.
Ekspertët e sigurisë kanë thënë se nëse sulmi i së enjtes përfshin një raketë balistike ndërkontinentale, do të ishte përdorimi i parë i një rakete të tillë në luftë. Këto janë armë strategjike të krijuara për të shpërndarë koka bërthamore dhe janë pjesë e rëndësishme e parandalimit bërthamor të Rusisë.
“Sot ishte një raketë e re ruse. Të gjitha karakteristikat - shpejtësia, lartësia - janë të një rakete balistike ndërkontinentale. Një hetim është duke u zhvilluar aktualisht”, ka thënë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një video-deklaratë.
Ministria e Jashtme e Ukrainës i ka kërkuar komunitetit ndërkombëtar të reagojë me shpejtësi ndaj përdorimit të asaj që tha se ishte “përdorimi i një lloji të ri armatimi”.
Forcat ajrore ukrainase kanë thënë se raketa u hodh nga rajoni rus i Astrakhanit, më shumë se 700 kilometra nga Dniproja në Ukrainën qendrore-lindore. Ato nuk kanë specifikuar se çfarë lloj koke kishte raketa ose çfarë lloj rakete ishte.
“Ukrainska Pravda”, një media me bazë në Kiev, ka cituar burime anonime duke thënë se raketa ishte një “RS-26 Rubezh” - raketë balistike ndërkontinentale me lëndë djegëse të ngurtë me një rreze veprimi prej 5.800km, sipas organizatës amerikane “Arms Control Association”.
“RS-26” u testua për herë të parë me sukses në vitin 2012 dhe vlerësohet të jetë 12 metra e gjatë dhe peshon 36 tonë, sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS). Sipas Qendrës, “RS-26” mund të mbajë një kokë bërthamore prej 800 kilogramësh.
“RS-26” është klasifikuar si raketë ndërkontinentale sipas një traktati për reduktimin e armëve bërthamore midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, por mund të shihet si raketë balistike me rreze të mesme veprimi kur përdoret me ngarkesa më të rënda në rrezet nën 5.500km, bëri të ditur CSIS.
Ndërkaq, disa orë pas akuzave nga Ukraina, presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se bëhet fjalë për “testim të raketave të reja”. Ai ka thënë se përdorimi i kësaj u bë si përgjigje ndaj lejes së dhënë nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për Kievin që të mund të përdorë raketa me rreze të gjata brenda Rusisë.
“Si përgjigje e përdorimit të armatimit me rreze të gjatë të SHBA-së dhe Britanisë më 21 nëntor të këtij viti, forcat e armatosura ruse kryen një sulm të kombinuar në një nga objektet e kompleksit ushtarako-industrial të Ukrainës. Në kushte luftarake, u krye një test i një prej sistemeve më të fundit të raketave me rreze të mesme veprimi, në këtë rast, me një version hipersonik jo-bërthamor të një rakete balistike”, ka thënë Putin.
Putin ka deklaruar se lufta në Ukrainë ka marrë përmasa globale. Ai u shpreh se Rusia ka të drejtë t'i përdorë armët e saj kundër instalimeve ushtarake të vendeve që i përdorin armët e tyre ndaj objekteve ruse. Putin ka akuzuar SHBA-në për shkatërrimin e sistemit të sigurisë globale.
Në adresimin e tij, Putini ka thënë se Rusia “është e gatshme për çfarëdo zhvillimi”. “Askush të mos dyshojë në këtë. Gjithmonë do të kemi përgjigje”, ka thënë ai.
Për këto raketa Rusia pati thënë se kanë kapacitete për shpejtësi deri në 10 herë më të madhe se shpejtësia e zërit – deri 3 kilometra për sekondë.
Ndërkohë, ministri hungarez i Mbrojtjes, Kristof Szalay – Bobrovnickzy ka njoftuar se shteti i tij do ta instalojë një sistem të mbrojtjes ajrore pranë kufirit me Ukrainën, duke përmendur një kërcënim “më të madh se kurrë” të një përshkallëzimi në luftën Ukrainë-Rusi.
“Ne ende besojmë se do të ketë paqe sa më shpejt të jetë e mundur, përmes diplomacisë në vend të një zgjidhjeje ushtarake”, ka thënë Kristof Szalay-Bobrovniczky në një video të postuar në Facebook të mërkurën vonë.
Komentet e tij vijnë pasi një takim i këshillit të mbrojtjes të Hungarisë u thirr nga kryeministri Viktor Orban për të diskutuar zhvillimet në Ukrainë.
Edhe Polonia ka vendosur avionët e saj luftarakë në gatishmëri për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore gjatë sulmeve ruse në Ukrainë.
Polonia ka vendosur vazhdimisht në gatishmëri avionë luftarakë gjatë sulmeve ruse në Ukrainë, që kur ka nisur lufta atje.