Botë

Sulmi i Izraelit në një ndërtesë në Gaza ua merr jetën 29 personave

Gaza

Foto: Associated Press

Të paktën 29 persona kanë mbetur të vdekur prej një sulmi ajror izraelit mbi një ndërtesë banimi në pjesën lindore të qytetit të Gazës, transmeton BBC.

Agjencia e mbrojtjes civile, që udhëhiqet prej grupit militant palestinez Hamas, ka thënë se avionët ushtarakë kanë shënjestruar zona afër xhamisë al-Hawashi në lagjen Shejaiya të martën në mëngjes.

Sipas njoftimit të agjencisë, rreth 40 persona kanë mbetur të lënduar dhe se ekipet e shpëtimit akoma po kërkojnë për trupa nën rrënoja.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite (IDF) ka thënë se ka goditur një “terrorist të lartë të Hamasit” i cili ishte përgjegjës për planifikimin dhe ekzekutimin e sulmeve në atë zonë.

“Shumë hapa u morën për të reduktuar dëmet ndaj civilëve, përfshirë përdorimin e armëve precize”, thuhet më tutje në njoftimin e IDF-së.

Ushtria izraelite ka akuzuar në mënyrë të vazhdueshme Hamasin për shkeljen e të drejtës ndërkombëtar, pasi që sipas saj, Hamasi është duke përdorur qëllimisht popullatën civile si mburoja njerëzore.

Izraeli rifilloi operacionet ushtarake në Rripin e Gazës me një seri të fuqishme sulmesh ajrore më 18 mars dhe dërgoi përsëri ushtrinë pas armëpushimit të përkohshëm me Hamasin, gjatë të cilit u liruan 38 pengje në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë.